Arrihet struktura e marrëveshjes për paqe në Afganistan
Negociatorët amerikanë dhe talibanë kanë rënë dakord për strukturën e një marrëveshjeje të paqes, e cila do t’i jepte fund konfliktit 17-vjeçar në Afganistan, ka bërë me dije kryenegociatori i Shteteve të Bashkuara, Zalmay Khalilzad.
Negociatorët amerikanë kanë zhvilluar gjashtë ditë bisedime me talibanët në Katar, javën e kaluar.
Talibanët, deri më tash, kanë refuzuar të mbajnë bisedime të drejtpërdrejta me zyrtarët afganë, duke i cilësuar ata si “kukulla” të ShBA-së, raporton “Rel”.
Khalilzad, i dërguar i posaçëm i ShBA-së për paqe në Afganistan, ka qëndruar në Kabul për t’i informuar zyrtarët atje në lidhje me bisedimet.
“E kemi strukturën, e cila duhet të zgjerohet përpara se të bëhet marrëveshje”, ka thënë Khalilzad për “New York Times” në Kabul.
Talibanët kanë thënë se do t’i nisin negociatat me Qeverinë afgane pasi të arrihet pajtim për datën e tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani.
Të hënën, presidenti afgan, Ashraf Ghani, u bëri sërish thirrje talibanëve që të bisedojnë direkt me qeverinë e tij.
Në intervistën për “New York Times”, Khalilzad ka thënë se talibanët janë zotuar se nuk do t’iu ofrojnë strehë e sigurt grupeve terroriste, çfarë është kërkesë kyçe e Uashingtonit nëse i tërheq trupat.