Arrijnë 106.470 doza të tjera të vaksinave “Pfizer”
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se kanë arritur edhe 106.470 doza të reja të vaksinave Pfizer. Ai ka thënë se gjatë ditëve në vijim do të arrijnë edhe dozat tjera të porositura ndërkohë që 81.900 doza kanë mbërritur mbrëmë.
“Të nderuara qytetare e qytetarë, sot mbërriti edhe kontigjenti i dytë i vaksinave nga kontrata me Pfizer. 106.470 doza mbërritën sot. Ditët e javët në vazhdim priten akoma. Vaksina mbetet zgjidhja më e mirë në përballjen e sukseshme me pandeminë”, ka shkruar ai.
Qeveria Kurti ka premtuar se deri në fund të vitit do të vaksinohen 60% e popullsisë. Fillimisht ky premtim ishte vetëm deri në shtator, por më vonë duket se zyrtarët qeveritar ndërruan mendje.
Deri më tani në Kosovë me dozën e parë janë vaksinuar 170.098 qytetarë, shkruan Gazeta Express. Ndërsa, 37.057 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë të vaksinës.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se 2 persona kanë rezultuar pozitiv me variantin Delta të COVID-19 në Kosovë, raporton Gazeta Express.
Sipas MSH’së, nga 22 mostrat pozitive të dërguara në Berlin për testim, 2 kanë rezultuar pozitive me variantin Delta të COVID-19.
Varianti Delta po shihet si shumë më i transmetueshëm se sa variantet tjera të virusit. Shumë vende në Europë kanë kthyer disa nga masat për të ndaluar përhapjen e e shpejtë të virusit.