Arrijnë marrëveshje me Austrinë, Rumania dhe Bullgaria futen në Shengen
Rumania dhe Bullgaria kanë arritur një marrëveshje me Austrinë për t’iu bashkuar pjesërisht zonës Shengen deri në mars 2024. Lajmin e kanë konfirmuar Bukureshti dhe Sofja.
Marrëveshja politike do të lejojë Rumaninë dhe Bullgarinë të bashkohen me zonën Shengen vetëm për udhëtime nga ajri dhe deti. Ndërkohë, negociatat vijojnë për kufijtë tokësorë, deklaroi ministria e Brendshme rumune.
Austria e kishte bllokuar pranimin e të dy vendeve në Shengen duke argumentuar se kjo lëvizje mund të shkaktonte një fluks të ardhjeve të parregullta të emigrantëve në Evropë përmes rrugëve turke dhe të Ballkanit Perëndimor.
Kujtojmë se aktualisht në zonën Shengen ndodhen 27 vende, 23 prej tyre shtete të Bashkimit Evropian dhe mbi 423 milionë qytetarë. Rumania dhe Bullgaria kishin kërkuar akses për më shumë se një dekadë.
Duke përshëndetur marrëveshjen në platformën e mediave sociale Facebook, kryeministri rumun Marcel Ciolacu tha : “Pas trembëdhjetë vjetësh, Rumania më në fund do t’i bashkohet Shengenit – ne kemi një marrëveshje politike.”
“Që nga marsi i ardhshëm, rumunët mund të përfitojnë nga avantazhet e zonës Shengen nga ajri dhe deti,” shtoi ai.
“Unë jam gjithashtu i bindur se në vitin 2024 do të mbyllim negociatat për kufijtë tokësorë.”
Kryeministri bullgar Nikolai Denkov konfirmoi të enjten se një marrëveshje u arrit pas një sërë negociatash të komplikuara.
Komisioni Evropian ua ka dhënë dritën jeshile dy shteteve që nga viti 2011, por vendet anëtare të BE-së e bllokuan marrëveshjes për shkak të shqetësimeve që lidhen me sundimin e ligjit dhe një rritje të migracionit.