![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/06/policia-6.jpg)
Arrijnë në Kosovë tre policët që ishin në paraburgim në Serbi
Tre zyrtarët policorë të Kosovës, të cilët u liruan nga autoritetet e Serbisë, arritën në Kosovë përmes vendkalimit kufitar në Merdare.
Pasi kaluan kontrollin serb, ata hynë në makina të Policisë së Kosovës dhe u nisën drejt Prishtinës, pa u deklaruar për mediat që ishin të pranishme.
Të arrestuar nga forcat serbe qysh më 14 qershor, ata u liruan paraditen e së hënës, konfirmoi avokati i tyre, Gradimir Nalliq, raporton Rel.
Drejtësia në Serbi i ngarkoi tre policët – Beqir Sefa, Mustafë Shemi dhe Rifat Zeka – me veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënim me burg deri në 12 vjet.
Atyre iu shqiptua masa e paraburgimit më 16 qershor, por nuk ishte e qartë kohëzgjatja e saj.
Nalliq tha se aktakuza kundër tyre është konfirmuar, por se ata do të mbrohen në liri.
Gjykata e Lartë në Kralevë – qytet në pjesën qendrore të Serbisë, ku po mbaheshin tre policët – konfirmoi po ashtu ndërprerjen e masës së paraburgimit kundër tyre.
Arrestimi i tre policëve nxiti reagime të shumta si në Kosovë, ashtu edhe te bashkësia ndërkombëtare, e cila kërkoi vazhdimisht lirimin e tyre.
Qeveria e Kosovës pretendoi se ata janë arrestuar në territorin e saj, përkatësisht janë rrëmbyer, por në Serbi e mohuan këtë, duke thënë se policët kishin hyrë “thellë” në territorin e tyre.