Arrijnë shtatë ftesa të reja nga Gjykata Speciale
Rreth shtatë ftesa të reja kanë arritur sot për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Gjykata Speciale, e vetëm në dhjetë ditët e fundit janë mbi 50 të tilla.
Kështu kanë deklaruar në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, që sipas tyre, rreth katër persona pritet të arrestohen deri në muajin nëntor.
E pas këtyre arrestimeve, në OVL-të UÇK-së nuk e përjashtojnë mundësinë e daljes në rrugë me protesta, për të kundërshtuar këto veprime.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë për “KosovaPress” se në 10 ditët e fundit ka arritur në 50 numri i të ftuarve, ku javën që shkoi ftesa ka marrë edhe Azem Syla, ndërsa sot Shaban Syla, Jetullah Krasniqi e ish-rektori Ibrahim Gashi.
“Sot kanë arritur prapë ftesa të reja, profesori i nderuar Ibrahim Gashi, sipas informacioneve edhe Shaban Syla, Jetullah Krasniqi nga Prizreni është ftuar sot, kështu që sot nëse nuk gaboj mbi shtatë ftesa janë shpërndarë vetëm në ditën e sotme e martë”, është shprehur ai.