Arrin varianti ‘Delta Plus’ në Kosovë, prej 70 mostrave të testuara, 12 pozitive
Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka informuar se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKShPK) ka pranuar rezultatet për mostrat e dërguara në dërgesën e pestë për sekuencionim përmes projektit ECDC në Eurofin Genomics në Gjermani.
Prej shtatëdhjetë mostrave të dërguara për testim, të cilat kanë rezultuar pozitive me koronavirus në Kosovë, të dërguara për sekuencionim përmes projektit të ECDC në laboratorët Eurofin në Gjermani, sekuencionimi është bërë në 59 raste, prej të cilave në 12 raste (20.33 për qind) është detektuar varianti ‘Delta Plus’ dhe në 47 raste (79,66 për qind) është detektuar varianti ‘Delta’.
IKShPK-ja planifikon që më 15 nëntor t’i dërgojë mostrat e tjera pozitive me SARS-CoV-2 të mbledhura gjatë dy javëve të fundit, përmes të njëjtit projekt, me qëllim të mbikëqyrjes virologjike të varianteve të SARS-CoV-2 në qarkullim në Kosovë.
“Situata me Covid-19 në Kosovë, sipas analizës së situatës epidemiologjike me Covid-19, paraqet rënie të numrit të rasteve për 19,11 për qind krahasuar me dy javët e fundit”, ka njoftuar MSh-ja.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ekipet e IKShPK-së po hulumtojnë dhe gjurmojnë pandërprerë të gjitha burimet e mundshme për ta parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve, detektimin e hershëm të rasteve dhe implikimet e mundshme në shëndetin e njeriut për variantin e ri ‘Delta Plus’.
“Pasi që janë detektuar 12 raste SARS CoV-2 varianti AY.4-like ‘Delta Plus’ në Kosovë (20,33 për qind), edhe pse varianti ‘Delta’ ende është dominues (79,66 për qind), ekziston rreziku i përhapjes së shpejtë të variantit të ri ‘Delta Plus’. Duke pasur parasysh numrin e lartë të personave aktivë që mund të bartin infeksionin dhe të panjohurat për shpërndarjen e shpejtë të Covid-19, Ministria e Shëndetësisë u bënë thirrje të gjithëve që t’i zbatojnë vendimet e fundit të qeverisë dhe të bëhet monitorimi i vazhdueshëm i masave me një dinamikë të shtuar të kontrollit nga ana e inspektorateve dhe Policisë së Kosovës për të pasur efekt në uljen e lakores epidemiologjike dhe në uljen e numrit të vdekjeve”, ka njoftuar kjo ministri.
Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë u bënë thirrje qytetarëve që ende nuk janë vaksinuar ta bëjnë një gjë të tillë sa më parë me qëllim të mbrojtjes nga secili variant i SARS-COV-2 dhe arritjen sa më të shpejtë të imunitetit me vaksinën kundër Covid-19 duke u vaksinuar plotësisht.