Arritja diplomatike e UÇK-së, drejt imponimit të çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare
Shkruan: Fatmir Lekaj
Gjatë këtij fundviti doli nga shtypi, libri: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Në shënjestër të vazhdueshme”. Libri është kryesisht i karakterizuar nga bashkëbisedimi në mes Muhamet Mavrajt (intervistuesit), dhe Bardhyl Mahmutit (të intervistuarit) gjë që e bën librin edhe më të kompletuar në lidhje me temat shqyrtuese. Ngase, nga njëra anë, intervistuesi përveçse posedon njohje të thellë për temat që shqyrtohen në këtë libër, njëkohësisht me profesionalizëm gazetaresk arrin të drejton bashkëbisedimin në nivel të duhur. Ndërsa i intervistuari, edhe pse është protagonist tejet i rëndësishëm në lidhje me shumë nga çështjet që ngritën për diskutim në këtë libër, megjithëkëtë, arrin pothuajse krejtësisht të lirohet nga këndvështrimi i protagonistit, duke na dhënë përgjigje dhe shpjegime shumë përmbajtësore nga këndvështrimi i studiuesit të shquar të shkencës politike.
Temat që shqyrtohen në këtë libër, janë të një rëndësie të veçantë për historinë e re politike të Kosovës. Veçanërisht vlen të theksohet se nëpërmes këtij libri lexuesi mund ta kuptoj më qartë dhe më thellë rëndësinë e konsolidimit dhe veprimtarisë së Grupit Diplomatik të UÇK-së. Ngase edhe pas krimit monstruoz të regjimit të Milosheviqit në sulmin ndaj familjes Jashari, duke e përfshirë sulmin të njëjtin muaj më 24 mars 1998 ndaj familjes Haradinaj, institucionet politike ndërkombëtare ende vazhdonin të kenë një qasje refuzuese dhe paragjykuese ndaj UÇK-së. Kështu që, konsolidimi i Grupit Diplomatik të UÇK-së që përbëhej kryesisht nga veprimtarë të mirëshkolluar në universitete prestigjioze perëndimore dhe që përfaqësonin UÇK-në në pothuajse të gjitha shtetet perëndimore e pati një rol vendimtar për arritjet e para diplomatike të UÇK-së. Në këtë mënyrë, UÇK arriti të shënoj një etapë të re në vazhdën e (dhe si kulminacion) i kryengritjeve të armatosura dhe përpjekjeve të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës prej vitit 1912. Sepse, tanimë UÇK duke qenë e inkurajuar nga altruizmi patriotik, heroizmi dhe sakrifica sublime e familjes Jashari etj., përveçse arrinte të bënte një përballje titanike ushtarake, edhe pse ishte tërësisht asimetrike në raport me forcat e armatosura të regjimit të Milosheviqit (sikurse Davidi kundër Goliatit), gjithashtu për të parën herë përfaqësimi politiko-diplomatik i një kryengritje të armatosur të shqiptarëve të Kosovës (UÇK-së) arrinte suksese të njëpasnjëshme diplomatike. Ky sukses diplomatik u arrit si rezultat i veprimtarisë së Grupit Diplomatik të UÇK-së, nëpërmes takimeve dhe komunikimeve të suksesshme fillestare në emër të UÇK-së, para se gjithash me ambasadorët amerikanë Robert Gelbard dhe Richard Holbrooke, Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Wolfgang Schüssel (gjatë kësaj periudhe Austria ishte udhëheqëse e radhës së BE-së), Ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Knut Vollebæk i cili gjatë luftës në Kosovë ishte udhëheqës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), dhe me shumë personalitete të tjera me ndikim politiko – diplomatik në shtetet perëndimore, përfshirë interesimin e madh të gazetarëve të huaj që i mundësuan Grupit Diplomatik të UÇK-së, mbajtjen e konferencave dhe paraqitjen në debatet televizive dhe në mediat e shkruara në shtetet perëndimore.
Rrjedhimisht, nga ky libër mësohet më shumë (bazuar në fakte dhe argumente përmbajtjesore) se si rezultat i veprimtarisë intensive politike, diplomatike dhe mediatike të Grupit Diplomatik të UÇK-së, u arrit të ndryshohet qasja refuzuese dhe paragjykuese që ishte krijuar për UÇK-në, në kuadër të institucioneve politike ndërkombëtare, dhe se në këtë kontekst më 23 shtator 1998 Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, miratoi Rezolutën 1199, ku u hoq cilësimi i UÇK-së si organizatë terroriste dhe ky fakt shënoi një ndryshim cilësor lidhur me qëndrimin ndaj UÇK-së, krahasuar me Rezolutën 1160 të datës 31 mars 1998. Njëherësh, si digresion vlen të përmendet, se edhe studiues të huaj i japin rëndësi të veçantë këtij ndryshimi kualitativ nga Rezoluta 1160 në Rezolutën 1199, sa i përket qëndrimit të institucioneve politike ndërkombëtare ndaj UÇK-së. Për shembull, Daniel Cservolgyi, në studimin e tij të titulluar “The role and ramifications of the Kosovo Liberation Army`s reclassification in the peace process of Kosovo” (2022) përveç të tjerash, shkruan: “Pas riklasifikimit të saj, UÇK-ja u bë një lojtar i domosdoshëm në procesin e paqes në Kosovë. Përfshirja e UÇK-së në bisedimet për zgjidhjen e konfliktit kishte ndodhur tashmë gjatë procesit të riklasifikimit të saj në qershor-korrik 1998, pas të cilit, UÇK-ja nuk u lidh më kurrë përsëri me terrorizmin në deklarata të gjera politike. Më pastaj, në shtator të vitit 1998, të gjithë anëtarët e KS të OKB-së nënshkruan Rezolutën nr. 1199, e cila e mbishkroi ose e zëvendësoi në shumë fusha Rezolutën e marsit nr. 1160”. Kjo ishte me rëndësi sepse propaganda e regjimit serb përpiqej, përveç të tjerash, ta paraqesë UÇK-në në arenën ndërkombëtare si një organizatë terroriste dhe si organizatë fundamentaliste fetare. Në fakt, kjo ishte e një rëndësie të veçantë, sepse shqiptarët e Kosovës prej vitit 1912, në disa raste kishin korrur suksese gjatë betejave ushtarake, por tani si UÇK për të parën herë korrnin suksese gjatë betejave të njëpasnjëshme diplomatike, duke i përforcuar dhe siguruar binarët drejtë imponimit të çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare, që rezultoi edhe me organizimin e Konferencës së Rambujesë.
Për më tepër, ky libër ndriçon edhe më shumë pikëpamjen se në rastin e Kosovës (në kuadër të gamës së faktorëve kryesorë që çuan në ndërhyrjen ushtarake ajrore të NATO-s, përkatësisht faktorit të sigurisë, faktorit humanitar etj.), gjithashtu faktor shumë i rëndësishëm për ndërhyrjen ushtarake ajrore të NATO-s, ka qenë edhe presioni moral ndaj shteteve perëndimore dhe organizatave ndërkombëtare (NATO-s, OKB-s etj.), në kuptimin për të ndërmarrë masat adekuate kundër zbatimit të gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Ngase ky presion moral zhvillohej brenda vet shteteve perëndimore, nga mediat, OJQ-t, aktivitetet e diasporës shqiptare në përgjithësi dhe veçanërisht si rezultat i artikulimit të duhur të bazuar në argumente morale dhe politike të anëtarëve të Grupit Diplomatik të UÇK-së, që drejtohej nga Bardhyl Mahmuti.
Të gjithë të interesuarit për të mësuar zhvillimet dramatike të procesit të legjitimimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u sugjeroj të lexojnë librin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Në shënjestër të vazhdueshme”, sepse aty do të gjejnë për herë të parë një sintezë të temave rreth të cilëve u artikulua veprimtaria e Grupit Diplomatik të UÇK-së dhe përgjigjet që sollën deri te fitorja diplomatike. Përgëzimet më të sinqerta intervistuesit dhe të intervistuarit për këtë libër që pasuron shumë historinë e re politike të Kosovës.
Ku mund ta gjeni librin?
Në Kosovë, lexuesit e interesuar mund ta gjejnë në zyret e gazetës “Epoka e re”, që është botuese i këtij libri, në adresën: Sheshi “Nena Tereza”, rr. Edit Durham” nr.45 Prishtinë. Ndërkaq lexuesit që jetojnë në shtetet e demokracive perëndimore, librin mund ta sigurojnë nëpërmjet Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, https://kosovogenocide.com/