Arroganca diktatoriale e Millosheviqit (8)

18 dhjetor 2024 | 13:07

Anatomia e nazizmit serb: Sllobodan Millosheviqi – nga Fushë Kosova deri në Hagë (8)

Shkruan: Prof. Dr. Agim ZOGAJ

Pavloviqi: Akademia është bastion i nacionalizmit serb!

Pas konsultimeve me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Millosheviqi kishte vendosur që konfliktin ta shtrojë për debat në mbledhjen e mbyllur të Kryesisë së zgjeruar të LK të Serbisë mbajtur më 18 – 19 shtator 1987. Mirëpo në rend dite të mbledhjes nuk i kishte shtruar kritikat që Ivan Stamboliqi ia kishte bërë atij për fjalimin luftënxitës në Fushë Kosovë por në rend dite kishte vënë sjelljen e Dragisha Pavloviqit. Ishte e qartë se synohej pengimi i Dragisha Pavloviqit dhe i Ivan Stramboliqit që të vepronin nga një pozicion kritik ndaj Millosheviqit dhe vijës politike të cilën ai po e promovonte. Madje në rend dite nuk ishte ekskluzivisht as çështja e qasjes së problemit të Kosovës, temë kjo e cila në Mbledhjen e tetë të KQ të LK të Serbisë ishte kryesore për diskutim.
Kuptohet ecuria e mbledhjes kishte kushtëzuar ndarjen e udhëheqjes më të lartë serbe në dy pozicione të kundërta njëri-tjetrit, në ata të cilët e përkrahnin Millosheviqin dhe në ata të cilët e përkrahnin paraqitjen e Pavloviqit.
Pavloviq, në paraqitjet e tij gjatë mbledhjes i kishte mbrojtur pikëpamjet e tij të paraqitura qysh në mbledhjen e Kryesisë së Komitetit të LK të qytetit të Beogradit duke ripërsëritur ndër të tjera se: “… Kam folur dhe kam tërheq vërejtjen se është e domosdoshme që të ballafaqohemi sa më parë me të vërtetën, sepse çdo vonesë do të jetë e rrezikshme dhe e dhembshme…Kam sugjeruar, bërë me dije në nacionalizmin serb, përkatësisht në luftën e përditshme kundër tij, sepse nacionalistët serbë, të cilët edhe i kanë recetat për zgjidhjen e shpejtë dhe të lehtë të çështjes së Kosovës, nuk janë për atë që të zgjidhet asnjë çështje shoqërore në mënyrë të pranueshme. Kam thënë se ata gazetarë dhe redaktorë të cilët bëjnë luftë kundër nacionalizmit shqiptar, duke e injoruar nevojën e luftës kundër nacionalizmit serb, jo për ndonjë simetri, por për shkak të rrezikut aktual, kontribuojnë afirmimin e epsheve nacionaliste”. Pavloviqi në një polemikë me Ratomir Vicon, përkrahës i Millosheviqit në mbledhjen e sipërcituar e kishte cilësuar Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë si bastion të nacionalizmit serb. Ai po ashtu kishte konstatuar se “… Kjo dramë nuk mund të zgjidhet edhe pa Kosovën…problemi kryesor është në ballafaqimin, konfrontimin me nacionalizmin serb”. Millosheviqi, pas tetë orë diskutimeve të zjarrta, e kishte marrë fjalën dhe kishte bërë në fakt ndërrim tezash të Pavlovqit duke thënë se: “Sot nuk po bisedojmë për ose kundër nacionalizmit serb. A do të thotë kjo se kritikën e kësaj paraqitjeje të Pavloviqit duhet ta kuptojmë kritikë nga pozitat e nacionalizmit serb. Nëse kushdo qoftë në këtë kryesi mendohet se është nacionalist, atëherë duhet ta themi se kush është”. Stamboliqi duke marrë fjalën menjëherë pas Millosheviqit, kishte tërhequr vërejtjen se: “Nacionalizmi serb nuk ka arritur në fazën në të cilën është nacionalizmi shqiptar. Por ekzistojnë kushtet në të cilat ai mund të vijë, e kur të vijë deri atje atëherë do të vijë deri te gjakderdhja. Kjo është luftë për të mos ardhur deri ajo”. Duke parë se kundërshtimi për të luftuar nacionalizmin serb edhe në radhët e udhëheqjes serbe është gjithnjë e më i fuqishëm, Stamboliqi kishte konstatuar me disfatizëm politik se: “Ne kemi ardhur në situatë kur lufta kundër nacionalizmit serb është e komplikuar. Këtë po e them sepse nuk ishte i vogël numri i njerëzve të cilët, kur ju tregova se në Plenum të KQ të LKS-së do të flas për nacionalizmin serb, më shtruan pyetjen: A po do ti të bësh vetëvrasje politike?…Tash të flas për nacionalizimin serb…Ne këtë luftë duhet ta zhvillojmë”!
Sllobodan Millosheviqi duke polemizuar me Ivan Stamboliqin kishte thënë se “KQ e LKS-së kurrë nuk ka vlerësuar se kumtesa për Kosovën është dhënë gabimisht. Ajo ka vlerësuar se ne e kemi dhënë kumtesën drejt e me bazë. Unë jam kundër tezës për, kokat e ftohta dhe të nxehta jo se angazhohem për kokën e nxehtë. Shprehjen “ kokë e nxehtë” kurrë nuk e kam përdorur”.
Në ndërkohë gjatë diskutimeve polemizuese midis udhëheqjes së Serbisë dikush nga Komiteti i LK i qytetit të Beogradit ia kishte dorëzuar Millosheviqit letrën të cilën Ivan Stamboliqi ia kishte dërguar ditë më parë Dragisha Pavloviqit në të cilën Stamboliqi e nxit dhe e përkrah Pavloviqin që ta kritikoj publikisht Millosheviqin. Letra madje ishte shtypur gabimisht në memorandumin e kryetarit të Republikës së Serbisë, funksion të cilin e kryente Stamboliqi. Natyrisht Millosheviqi i entuziazmuar me këtë argument kundër kundërshtarëve të tij, në radhë të parë Stamboliqit dhe Pavloviqit letrën e kishte bërë publike gjatë mbledhjes. Me atë rast ai kishte thënë: “Shokë, jam hamendur mjaft, meqenëse para dy orësh kemi marrë një letër. Së pari bëra lutje të vërtetohet a është letra autentike, apo dikush e ka montuar. Pastaj u hamenda a thua ta lexojmë këtë letër vetëm në Kryesi. Mandej vendosa që meqenëse së bashku po punojmë qe dy ditë, ta lexojmë bashkërisht. Pasi ishte lexuar letra për fjalë ishte paraqitur Ivan Stamboliqi i cili kishte thënë se: “Letrën e kam me vete, gati e di përmendësh…Kjo është letra të cilën e kam dërguar dhe mendoj se në këtë kam pasur të drejtë, madje e kam ndier edhe si obligim”.

Azem Vllasi: Po më kap frika

Është me rëndësi të thuhet se, ideator i letrës sërish ishte, miku dhe bashkëpunëtori besnik i Sllobodan Millosheviqit, Dushan Miteviqi i cili në ditën e dytë derisa po mbahej mbledhja nën dyert e mbyllura kishte ardhur deri te ideja për hartimin e letrës protestuese dhe dorëzimin e saj ne duart e Millosheviqit i cili e kryesonte mbledhjen. Qëllimi i letrës protestuese ishte që të pranishmit të njoftoheshin me veprimet e Ivan Stamboliqit i cili pa e ditur edhe vet Millosheviqi i kishte dërguar letër përkrahje Dragisha Pavloviqit për qëndrimet e tij. Ishte e qartë se lufta frakciniste po thellohej dhe atë, sipas ideologëve të fraksionit të Millosheviqit duhet ngritur deri në tensionet maksimale.
Ndërkohë lojërave politike serbe ju shtohet edhe një detaj. Të njëjtën ditë, në një kafene në Beogradin e Ri ishin takuar, përveç Miteviqit, i cili ishte ideator i letrës, edhe dr. Radosh Smiljkoviqi, dr. Mihajlo Milojeviqi dhe dr. Jagosh Puriqi, të gjithë anëtar të Kryesisë së Komitetit të Qytetit të Beogradit. Me këtë grup fraksionist ishte edhe dr. Slobodanka Gruden, e cila nuk kishte marrë pjesë në takim, mirëpo paraprakisht e kishte dhënë pajtimin e saj. Një orë më pas, Millosheviqi e kishte letrën para veti dhe tha” Më duhet të them se personalisht jam i prekur me këtë ngjarje “madje edhe emocionalisht, këto janë çështje të cilat, vërtet kurrë nuk kanë qenë në LK”.
Pas leximit të letrës debati midis Millosheviqit, Stambolitit dhe Pavloviqit ishte bërë edhe më i ashpër. Pavloviqi madje e kishte rikthyer çështjen tek mënyra dhe insinuatat e me rastin e formulimit të rendit të ditës së mbledhjes duke nënvizuar se” Unë po e përjetoj sikur ky lloj rendi i ditës është gjykim ndaj meje…Kjo mbledhje nuk është demokratike. Unë nuk e di se kush e ka formuluar kësisoj rendin e ditës”? Millosheviqi me arrogancën e tij tradicionale ishte përgjigjur: “Unë e kam formuluar”. Pas kundërshtimeve të vazhdueshme të Pavloviqit ndaj akuzave që i mvisheshin për sektarizëm dhe për prapaskenë e për strategji anti-Millosheviqiane, ai kishte thënë se: “Çfarëdo interpretimi tjetër do ta konsideroja si sulm në integritetin tim politik dhe personal. Për çdo gjë tjetër mund të merremi vesh”. Millosheviqi iu kishte kundërpërgjigjur me tone kërcënuese duke thënë se: “Unë po ju lus për bisedë e cila do të përjashtojë kësofare jokulture dhje zjarri!. Shokë, të kuptohemi se këtu është një moment i rrezikshëm. Shoku Pavloviq për herë të dytë në paraqitjen e tij po niset me kërcenim, me një kërcenim shumë të rrezikshëm, me kërcënimin e konfrontimit të Komitetit të qytetit dhe KQ të LK të Serbisë, duke pretenduar të na bind se prapa tij qëndrojnë 230.000 komunistë të Beogradit”.
Në përmbyllje të debatit jashtëzakonisht polemizues në mbledhjen e Kryesisë së zgjeruar të KQ të LKS-së, Sllobodan Millosheviqi i trimëruar nga përkrahja e një pjese të udhëheqësve serbë, kishte kundërshtuar formimin e çfarëdo grupe punuese lidhur me debatin dhe antagonizmat përbrendaa udhëheqjes më të lartë serbe, ndërkohë që kishte thënë se “Ne duhet ta japim kumtesën sa më parë nga kjo mbledhje…Në rend dite ishte Dragisha Pavloviqi dhe pasojat politike të kësaj paraqitje”.
Me atë rast Millosheviqi me karizmin e tij prej diktatori kishte nxjerr menjëherë formulime që i shkonin për shtati vijës së tij politike dhe që i komprometonte kundërshtarët e tij, në radhë të parë Ivan Stamboliqin dhe Dragisha Pavloviqin. Prandaj, Millosheviqi kishte thënë se: “Kemi konstatuar se paraqitja e tij (Dragisha Pavloviqit – A. Z ) ka shkaktuar pasoja të mëdha, në tërësi ka shkaktuar konfuzion dhe ka nxitur veprim negativ në realizimin e politikës së LK-së”. Duke qenë se në mbledhje, në cilësi të kryetarit të atëhershëm të LK të Kosovës kishte marrë pjesë Azem Vllasi, i shqetësuar me kërcënimet e Millosheviqit, në fjalën e tij ndër të tjera kishte thënë: “Kurrë nuk do të pranoj të shkarkohet nga detyra e kryetarit të Komitetit të qytetit për shkak të karakterit të kësaj paraqitje. Ju lutem po më kap frika! Le të gjendet dikush në këtë sallë që mund të garantoj se nuk do ti ngjajë diçka kështu nëse flet, e dihet se ne të gjithë merremi me këso punës. Ndaj, nuk pranoj që kështu të votohet për masa”. Millosheviqi i kishte thënë Vllasit: “Mirë Azem kjo është e drejtë e jotja”, ndërkaq as vet Vllasi nuk do të kishte mund ta paramendonte se dy vjet më pas pikërisht a Millosheviq kishte dhënë urdhëresën që ai të burgoset.
Në fund të mbledhjes, e cila kishte reflektuar me ndarjen e madhe në dy taborre të udhëheqësve serbë, Millosheviqi kishte propozuar që të votohet për propozimin e KQ të LKS-së që të përjashtohet Dragisha Pavloviqi nga funksioni i kryetarit të LK të qytetit të Beogradit. Votimi ishte me rëndësi historike, sepse nëse nuk do të kalonte propozimi i Millosheviqit dhe i përkrahësve të tij, ndër të cilët ishin edhe gjeneralët Petar Graqanin dhe Nikola Lubiqiq, atëherë në fakt fitonte opsioni, vija politike e Ivan Stambolqit, Dragisha Pavloviqit dhe përkrahësve të tjerë të tyre, vijë kjo e cila llogaritej si më e matur dhe më pak militante. Por, në rastin e Kosovës nuk duhej pasur kurrfarë iluzione se politika serbe do të ishte më fleksibile, edhe për faktin se në kohën kur Ivan Stamboliqi ishte kryetar i KQ të LK-së ishte hapur debati për ndryshimet kushtetuese në Serbi, me çka paralajmërohej suprimi i autonomisë të vitit 1974 të Kosovës.
Kryesia e KQ të LKS-së numëronte 23 anëtar, ndërkaq nga dy ishin nga Kosova dhe Vojvodina, si krahina autonome. Përfaqësuesit e Kosovës dhe të Vojvodinës në të njëjtë mbledhje kishin vendosur që të mos votonin, duke vlerësuar se fjala ishte për konflikte personale në udhëheqjen serbe dhe se në ato konflikte nuk duhet përzierë. Prej 19 anëtarë të tjerë, dhjetë kishin votuar për propozimin sipas të cilit Pavloviqi ishte fajtor dhe se në KQ të LKS-së duhet aprovuar vendimin për dënimin e tij, kurse nëntë të tjerë kishin votuar kundër propozimit përkatës. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka…