Arroganca e institucioneve ka për qëllim pengimin e hetimeve
Reagim i KMDLNj-së
Në fshatin Bibaj të Ferizajt, ndodhi një vrasje e një 89-vjeçari e që doli të jetë i afërt me pushtetin aktual që, jodomosdoshmërisht e implikon në këtë vrasje. Në ndërkohë, në gazetën “Nacionale” doli një pjesë e komunikimit në grup në të cilin thuhet se ishin edhe presidentja aktuale, me bashkëshortin, e që në një mënyrë, tërthorazi implikohen në këtë vrasje për faktin se dyshohen se kanë qenë në dijeni për një dhunim të dy të miturave 10 vjeçe, motra të njërit nga dorasit e që këtë dhunim e paska kryer viktima, axha i bashkëshortit të presidentes gjatë viteve 98, 99.
Të gjitha këto thuhen pa përfunduar hetimet nga institucionet përkatëse dhe pa asnjë vendim të gjykatës. Presidentja e Kosovës, në emër të rrezikimit të jetës së saj dhe familjes, kërkon mbrojtje nga institucionet e sigurisë për çka ka të drejtë ndërsa siguria mund t’i ofrohej pas vlerësimit të rrezikshmërisë nga organet e sigurisë. Përtej kësaj, presidentja e veshur me arrogancën e pushtetit, kërkon të bëhen hetime të menjëhershme ndaj mediave duke i njëjtësuar me mediat e Serbisë në përgjithësi duke individualizuar emrin e Berat Buzhalës nga gazeta “Nacionale”.
Me këtë denoncim të pashembullt urdhëron organet hetuese të bëjnë hetime që paraqet ndërhyrje flagrante në punën e këtyre institucioneve, në njërën anë, kërcënon gazetarët dhe gazetat që janë jashtë “vijës institucionale” ndërkaq, kërcënim i veçantë shkon drejt Berat Buzhalës.
Nga pozita dhe fuqia që e ka presidentja, jeta e Berat Buzhalës dhe familjes së tij rrezikohet shumë më tepër. KMDLNj-së, këto ftesa të përditshme të përfaqësuesve më të lartë institucionalë për hetimin e gazetarëve apo të tjerëve sepse po “ua shkelin thembrën”, në fakt janë ndërhyrje flagrante për të penguar hetime, siç është vrasja në Bobaj, në mbrojtje të familjarëve dhe moszbulim i rasteve tjera.
Në Kosovë pushtetet, sipas ligjeve në fuqi, janë të ndara dhe bartësit e posteve më të larta shtetërore janë pikërisht ata që, të pajisur me pushtet të pakontrolluar e që nuk japin fare llogaridhënie, në mënyrë brutale ndërhyjnë në punën e institucioneve prandaj i konsiderojnë armiq gazetarët duke i përndjekur ata.
Rasti në fshatin Bibaj duket të jetë i ngatërruar, i rëndë prandaj duhen hetime të pavarura, mosndërhyrje nga askush, bashkëpunim me policinë dhe prokurorinë e shtetit të gjithë atyre që mund të kontribuojnë në ndriçimin e rastit. KMDLNj-ja thërret që rasti të mos paragjykohet.