Arsenal armësh i konfiskuar, 18 persona të arrestuar
Prokuroria e Ferizajt ka dhënë detaje për operacionin e sotëm të Policisë në lokacione të ndryshme.
Prokuroria ka bërë të ditur se pas hetimeve disa mujore, janë kryer bastisje në lokacione të ndryshme në tërë Kosovën, nga ku janë sekuestruar municion dhe sasi e madhe e armëve.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin se pas një hetimi intenziv disa mujor, i filluar nga fundi i vitit 2018, me masa të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimeve kundër Krimit të Organizuar – DHKO në Prishtinë, kanë kryer disa bastisje në disa lokacione në regjione të ndryshme në tërë Kosovën, me ç ‘rast janë sekuestruar një sasi e madhe e armëve dhe municion të llojeve të ndryshme”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sipas këtij njoftimi, deri më tani janë sekuestruar tridhjetë e shtatë (37) revole, tetë (8) armë gjuetie, tri (3) armë AK-47 , dy (2) armë gjysmë automatike, shtatë (7) armë të gjata, një (1) pushkë ajrore, tetëmbëdhjetë (18) karikator, pjesë të ndryshme të armëve (tyta të revoleve), një sasi e madhe e fishekëve, rreth nëntë mijë (9,000) copë të kalibrave të ndryshëm, po ashtu, janë sekuestruar të holla rreth 10.000 € si dhe dy (2) vetura.
“Me këtë rast janë arrestuar tetëmbëdhjetë (18) persona, me inicialet:A.F.,P.F.,M.F.,M.SH.,I.R., R.M.,N.M.,P.M., A.F.,B.A.,S.N.,A.H., K.P.,E.B.,K.D., B.J.,S.K.,F.U., ndaj të cilëve është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, nga neni 364 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe“Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”.
Prokuroria po ashtu, ka bërë të ditur se aksioni në fjalë është duke vazhduar edhe më tutje.
/Epoka e Re/