Arsenali fitoi pas nëntë ndeshjeve
Pas nëntë ndeshjeve rresht pa fitore, Arsenali më në fund është këndellur. “Topçinjtë” fituan si mysafirë të West Hamit 3 me 1 në xhiron e 16-të të Premier Ligës.
Edhe këtë ndeshje, Arsenali e nisi dobët. West Hami kaloi në epërsi në minutën e 38-të përmes Angelo Ogbonnas.
Arsenali u rikthye në pjesën e dytë duke realizuar tre herë. Serinë e golave e nisi Martinelli në minutën e 60-të. Gjashtë minuta pas tij shënoi Nicolas Pepe, që me një supergol kaloi Arsenalin në epërsi. Në minutën e 69-të, Pepe asistoi për Pierre-Emerick Aubameyang që ia vulosi Arsenalit fitoren pestë këtë sezon.
Në takim, mesfushori shqiptar i Arsenalit, Granit Xhaka, u paraqit deri në minutën e 86-të kur liroi vendin për Mateo Guendouzin. Xhaka u zëvendësua pas një goditje të fuqishme që mori në kokë.
Kjo ishte fitorja e parë për Fredrik Ljunbergun që kur u bë trajner i Arsenalit pas largimit të Unai Emeryt.
Në tabelën e Premier Ligës, Arsenali ka vetëm 22 pikë dhe është i nënti. West Hami është i 16-i me 16 pikë.