Arsenali fiton FA Cup
Arsenali ka fituar në finalen e FA Cup duke e mundur Chelsean me rezultat 2-1. Ky është trofeu i parë i Mikel Artetas si trajneri i Arsenalit e që është tepër i shijshëm pasi që shpëton sezonin katastrofal të Arsenalit në Premierë Ligë. Chelsea kaloi e para në epërsi, por rezultatin e përmbysi Arsenali.
Që në minutën e gjashtë Christian Pulisic shënoi një gol të bukur pas asistimit nga Olivier Giroud.
Minutat e parë të pjesës së parë u takuan bluve të Londrës që dominuan në ndeshje në çdo pjesë të fushës, por kjo përparësi zgjati deri në minutën e 26-të kur Aubameyang del përpara me top, Cesar Azpilicueta shkakton penallti, të cilën në gol e gjuan Aubameyang.
Në minutat e fundit Arsenali ishte më i rrezikshëm dhe tregoi se mund ta fitojë këtë ndeshje.
Në pjesën e dytë Chelsea e filloi më mirë takimin dhe pati disa mundësi për shënim, por nuk u konkretizuan rastet. Por, atë që s’e bëri Chelsea, e bëri Arsenali.
Një kundërsulm i shpejtë i Arsenalit, i nisur nga Bellerine, bëri që topi të shkojë te Nicolas Pepe, i cili asistoi te Aubameyang, kurse ky shënoi një gol të bukur në minutën e 68, duke parabolluar portierin e Chelseas, Caballero.
Mundësi e barazimit për Chelsean u vështirësuar kur me karton të kuq u përjashtua Mateo Kovacic në ndërhyrjen e dytë kundër Granit Xhakës.
Kjo është hera e 14 që Arsenali e fiton FA Cup, trofe që skuadra londineze e ka fituar më së shumti në Angli. /Epoka e re/