Arsenali gabon, pranon gol në minutën e 93-të
Manchester United ka marrë fitore të madhe në Spanjë në Europa League, duke e mposhtur 2-0 Granadën. Arsenali ka gabuar në takimin e parë me Sllavja Pragën, duke pranuar gol në minutën e 93-të, derisa Roma e mundi 2-1 Ajaxin me golin e fitores të shënuar në minutën e 87-të.
Janë mbyllur sfidat e para çerekfinale në Europa League.
Arsenali i Mikel Artetës ka gabuar në takimin e parë, duke barazuar 1-1 me Sllavja Pragën në Emirates Stadium.
Pepe shënoi për Arsenalin në ndeshjen e parë çerekfinale në Europa League në minutën e 86-të, dhe u mendua se ‘Topçinjtë’ po merrnin fitore në këtë takim.
Por, në minutën e fundit të kohës shtesë, mysafirët përmes Holes arritën të shënojnë golin shumë të vlefshëm si mysafirë, për të lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit.
Granada 0-2 Manchester United
Manchester United i Ole Gunnar Solskajer do të kthehet në Angli me një fitore të madhe.
“Djajtë e Kuq” e mposhtën 2-0 në udhëtim Granadën, duke mbyllur pothuajse gjithçka që në ndeshjen e parë.
Marcus Rashford dhe Bruno Fernandes shënuan për “Djajtë e Kuq”.
Rashford shënoi për 1-0 në minutën e 31-të, derisa Bruno nga penaltia për 2-0 në minutën e 90-të.
Ajax 1-2 Roma
Roma ka arritur të sigurojë fitore në fund të ndeshjes, duke e mposhtur 2-1 Ajaxin.
Ibanez shënoi për rezultatin përfundimtar 2-1 në minutën e 87-të, derisa golin tjetër e ka shënuar Lorenzo Pellegrini. Për Ajaxin shënoi Klaassen.
Për italianët është një fitore e madhe, shkaku vlera e dy golave si mysafirë dhe e presin sfidën e kthimit në Olimpico të qetë dhe shumë të favorizuar.
Në ndeshjen tjetër, Dinamo Zagreb është befasuar në shtëpi, duke pësuar humbje 0-1 nga Villarreali.
Të gjitha sfidat e kthimit do të zhvillohen javën e ardhshme.