Arsenali mendon ta rikthejë Xhakën në Monchengladbach
Skuadra e Arsenalit do ta ofrojë Granit Xhakën në shkëmbim të mesfushorit Denis Zakaria.
Për mesfushorin shqiptar të Zvicrës kjo do të nënkuptonte rikthim te klubi i vjetër, Borussia Monchengladbach. Xhakës iu mor shiriti i kapitenit këtë muaj pas zënkës me tifozët e vet muajin e kaluar dhe thuhet se mesfushori nuk do të luajë më për klubin nga Londra Veriore. Ai nuk ishte pjesë e skuadrës së Unai Emery në asnjërën prej disa ndeshjeve pasi e humbi shiritin e kapitenit, por luajti me Zvicrën në ndeshjet kualifikuese për Euro 2020, ku edhe bëri komente thumbuese për tifozët e Arsenalit. Mediat britanike shkruajnë se Arsenalit i intereson Zakaria, mesfushori zviceran që po shkëlqen me klubin gjerman këtë sezon, i cili është lider i Bundesligës momentalisht. Marrëveshja do të varet nga Monchengladbach, pasi mund të kërkojë vetëm para për 22-vjeçarin dhe jo shkëmbim lojtarësh.
Xhaka i thumboi tifozët e vet përsëri pas një ndeshjeje me Zvicrën, duke shkruar në rrjetet sociale: “Lumturi quajmë kur je i kënaqur me veten dhe nuk të nevojitet konfirmimi i të tjerëve”.