Arsim Bajrami për ndalimin e qarkullimit të dinarit: BQK nuk duhet të tërhiqet nga vendimi
Profesori i shkencave juridiko – kushtetuese, Arsim Bajrami, në një intervistë dhënë për “Info Plus” të RTK-së, ka deklaruar se ndalimi i qarkullimit të dinarit nga Banka Qendrore e Kosovës është vendim i duhur dhe Kosova nuk duhet të tërhiqet prapa.
“Ka qenë koha që të mënjanohet cilado valutë e shtetit tjetër sepse në një mënyrë kjo ka qenë cenim i sovranitetit. BQK ka bërë mirë që tani ka përfunduar zbatimin e valutave të tjera. Mendoj që institucionet e Kosovës, e në këtë rast BQK-ja asesi nuk duhet të pranojë anulimin e kësaj rregulloreje”, ka deklaruar Bajrami në magazinën “Info Plus” në RTK.
Tutje ai ka theksuar se gjithashtu Qeveria nuk duhet të pranojë në asnjë variant që kjo çështje të jetë pjesë e dialogut.
“Kjo është qasje e padrejtë e BE-së që të jetë temë e diskutimit sepse kështu do ta çojnë dialogun në pafundësi. Çfarëdo çështje që Serbia dëshiron ta bëjë pjesë të dialogut, atëherë regjistri i temave do të jetë i pakufishëm. Në vend që BE të finalizojë dialogun dhe ta konkludojë atë, ajo po tenton që edhe problemet politike që po rrjedhin si pasojë e destruksionit që ka vënë Serbia, t’i vendos në temat e dialogut”, ka theksuar Arsim Bajrami.
Ai tutje ka thënë se nëse synimi evropian është progresi në procesin e normalizimit, ai duhet të ndodhë gjatë muajve në vijim për shkak të mundësisë së ndërrimit të drejtuesve.
“Pas pushimeve verore, agjenda do të ndërrojë për shkak se janë zgjedhjet në shumë shtete evropiane, zgjedhje për Parlamentin Evropian. Në vjeshtë kemi edhe zgjedhje për presidentin e SHBA-ve. Kështu që nëse ka një vullnet që strukturat ekzistuese të shënojnë progres atëherë kjo do të ndodhë në dy tre muajt e ardhshëm. Kosova është vendosur para kësaj sfide, sepse pastaj edhe ndoshta nuk do të jemi si Kosovë kryetemë e BE-së por gjithashtu edhe do të bjen koncentrimi i administratës amerikane për shkak se vëmendja do të jetë te zgjedhjet”, ka thënë ai.
Tutje Bajrami ka thënë se edhe Kosova ka interes që normalizimi të ndodhë tani, sepse sipas të gjitha gjasave, në arenën ndërkombëtare së shpejti do të mbizotërojë e djathta politike.
“Obstruksionin kryesor kësaj marrëveshje po ia bën Serbia sepse po vazhdon me retorikën e njëjtë që s’do ta zbatojë marrëveshjen në tërësi. Marrëveshja ose duhet të zbatohet e tëra ose nuk mund të zbatohet duke marrë atë që të duhet dhe duke lënë atë që s’e do. Kosova ka interes që të ecet përpara me këtë marrëveshje sepse konstelacioni i forcave ndërkombëtare që do të krijohet pas zgjedhjeve do të jetë më i disfavorshëm për shkak se sipas parashikimeve, në të gjitha vendet po forcohet e djathta”, ka paralajmëruar Bajrami për RTK-në.