Arsim Bajrami: Zhurma nuk ka qenë asnjëherë në ADN-në e PDK-së
Akademiku Arsim Bajrami ka komentuar zhvillimet e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, ku opozita krijojë zhurmë në Kuvend duke kundërshtuar vazhdimin e seancës për shkak të mosformimit të Komisionit Hetimore Parlamentar për Energjinë.
“Duke shikuar sot sesionin e paradites së Kuvendit të Kosovës, mu rikthye nostalgjia për kuvendet e legjislaturave të vitit 2001, 2004, 2007,2011,2014, në të cilat isha edhe unë deputet i zgjedhur. Në këto legjislatura gjysma e deputetëve ishin profesorë universitarë, njerëz me integritet profesional, kombëtar dhe etikë që kishin së paku një dekadë kontribut në procese të shtet-ndërtimit. Kurse sot pamja e kuvendit duket shumë e zymtë, me deputetë që as fshati i tyre nuk i njeh, pas asnjë përvojë politike, e që të vetmen cilësi që e demonstrojnë është militanizmi politik. Natyrisht, këtu ka përjashtime me pak deputetë të ndershëm, që shurdhohen në llumin e deputetëve të padijshëm dhe pa integritet”, ka shkruar Bajrami në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se në mënyrë të veçantë e kanë zhgënjyer kolegët deputetë të PDK-së, të cilët sipas tij, zgjodhën zhurmën e tavolinave si mjet politik. “Nuk ka qenë asnjëherë në ADN-në e PDK-së zhurma, dhuna si mjet i veprimit politik. PDK-ja është ndërtuar me logjiken shtetformuese, kushtetuese e ligjore dhe metodat e tilla asnjëherë nuk do të mbështeten nga elektorati i saj. Përvoja e dikurshme e partisë në pushtet me veprime destruktive nuk duhet të praktikohet nga partitë shtetformuese”, ka thënë ai. “Duhet lënë partinë në pushtet që të qeverisë me mandat të plotë, në mënyrë që ajo të marrë faturën e mirë-qeverisjes/keq-qeverisjes nga qytetarët e Kosovës në fund të mandatit të plotë kushtetues”, ka thënë Bajrami.
Ai ka theksuar se përdorimi i metodave jashtë parlamentare, zhurma, përplasja e tavolinave janë një amnesti për traditën e dhunës parlamentare, e përdorur nga opozita e mëhershme.
“Demokracia parlamentare në të gjitha vendet demokratike ka rritur standardet e qeverisjes dhe të etikes politike. Fatkeqësisht, në shtetin tonë këto standarde kanë degraduar në nivele shumë të ulëta”, ka thënë Arsim Bajrami.