
Arsim e Erdoan Vitaku drejtuan ndeshjen çerekfinale në Ligën e Evropës
Gjyqtarët e Federatës së Hendbollit të Kosovës, Arsim Vitaku e Erdoan Vitaku, kanë drejtuar të shtunën ndeshje të rëndësishme në kuadër të garave evropiane.
Çifti Vitaku ishte i deleguar nga Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) për ta drejtuar ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës Evropiane (EHF European League) mes skuadrës gjermane HSG Bensheim/Auerbach Flames dhe asaj franceze JDA Bourgogne Dijon Handball.
Fitore me rezultat 28:26 shënuan hendbollistet e skuadrës franceze.
Dijoni e kishte fituar ndeshjen e parë me rezultat 31:27 dhe avancoi në gjysmëfinale të Ligës Evropiane, që është niveli i dytë i garave kontinentale.
Çifti Vitaku ka përvojë të gjatë në gara evropiane, ndërsa me drejtimin e ndeshjes së rëndësishme çerekfinale vetëm është rikonfirmuar besimi që EHF-ja ka ndaj zyrtarëve kosovarë të ndeshjeve.