Arsimi duhet të trajtohet ndryshe!
Shkruan: Burim Z. Gjaka
Për dy dekada me radhë arsimi në Kosovë është trajtuar si e më keq nga të gjitha forcat politike rend me rend. Asnjëherë deri më sot askush nuk e ka pasur prioritet real arsimin, përveç platformave formale sa për fushata zgjedhore dhe ato të shkruara e shumë herë të kopjuara, por që vlefshmëria e tyre ka qenë vetëm deri pas zgjedhjeve. Si pasojë e politikave të tilla dhe njerëzve të tillë sot arsimi mbetet sektori më i kritikuar në vend.
Janë harxhuar miliona euro për zhvillim profesional të mësimdhënësve duke u maltretuar nëpër trajnime kinse për ngritje cilësie e që fatkeqësisht shumica dërmuese e tyre janë organizuar dhe mbajtur nga njerëz jo profesional dhe që asnjëherë nuk ju kanë hyrë në punë mësimdhënësve, ndërsa në anën tjetër nuk është investuar sa duhet në infrastrukturën e brendshme të shkollave, duke pasur prioritet kërkesat që shtron zbatimi i kurrikulës sot.
Po ashtu, edhe infrastruktura ligjore lë shumë për të dëshiruar në këtë drejtim, përveç që është e dobët edhe zbatimi i saj nuk monitorohet pothuajse nga askush. Dhe të kërkosh cilësi apo ngritje cilësie në këtë situatë është “non sens”.
Buxheti i vogël i shkollave, burokracia në proceduarat e prokurimit dhe pengesat që dalin ne shfrytëzimin e atij buxheti sado i vogël që është paraqet pengesë për shkollat, e me këtë problematikë nuk merret askush. Drejtorët e shkollave sot duhet të merren me menaxhim, financa, logjistikë, administratë e ndonjëherë edhe me prokurim.
Ky trajtim e bën një drejtor të pafuqishëm, dhe edhe po të jetë shumë profesional nuk do të ketë sukses. Drejtorët sot nuk mund të zhvillohen profesionalisht, nuk kanë të drejtë gradimi në pagë sipas licensimit apo performancës, nuk u mundësohet ngritja në karrierë, nuk dallojnë shumë në pagë nga mësimdhënësit, por vetëm në përgjegjësi, prandaj MASh-i dhe të tjerët duhet ta kuptojnë që pa drejtorë të mirë nuk mund të ketë as shkolla të mira, e për të pasur drejtorë të mirë dhe të suksesshëm duhet trajtuar ndryshe kjo pozitë.
Drejtorët duhet të fuqizohen materialisht edhe me kompetenca dhe pastaj duhet të kërkohet llogari dhe sukses prej tyre. Ky është sistemi ynë arsimor, pa e përjashtuar mundësinë që ka edhe drejtorë e edhe mësimdhënës jokompetent dhe joprofesional, por që fatmirësisht nuk janë të shumtë në numër.
Sa herë që mbahen zgjedhje punëtorët arsimor mbesin me shpresë së do të zgjidhet një ministër arsimi adekuat i cili të paktën do ta orientoj arsimin në rrugën e duhur, mirëpo shpresat shuhen shpejtë.
Qeveria e sotme në 10 prioritetet e prezantuara të saj asnjë nuk e ka për ngritjen e cilësisë në arsim, prandaj pritja edhe tash po duket e kot. Madje kjo qeveri po i kërcënon mësimdhënësit me largim nga puna që nuk do të duhej ta bënte sepse shkollat kanë nevojë për përkrahje fillimisht e pastaj për ndëshkim. Ta përdorësh kërcënimin dhe ndëshkimin pa e bërë asnjë përkrahje minimale për ta mund të dukesh qesharak dhe tendencioz. Arsimi realisht është në gjendje të keqe mirëpo përmirësimi i gjendjes nuk mund të ndodhë pa bashkëpunuar me shkollat dhe stafin e tyre.
Qëllimi i secilit duhet të jetë parimisht avancimi i procesit, jo ndëshkimi. Nëse gjendja e arsimit është e tillë mësimdhënësit nuk janë fajtorët kryesor dhe të vetëm sepse ata nuk kanë pikur nga qielli e as nuk i kanë ble diplomat në treg të perimeve, mirëpo kanë dalë nga këto universitete që i ka krijuar politika dhe janë punësuar po ashtu.
Qeveria aktuale para se të shkojë të ndëshkimi duhet të fillojë ta trajtoj arsimin ndryshe. Fillimisht duhet të organizoj debate publike me nxënës, mësimdhënës, prindër, drejtorë shkollash dhe staf përcjellës profesional e të njoftohet me problemet që kanë shkollat sidomos ato që i ka shkaktuar kurrikula.
Pastaj të bëhen ndryshimet e nevojshme në kurrikulë, të furnizohen nxënësit me libra të rinj dhe aty ku ka mundësi përmirësimi i kurrikulës edhe të ndodhë, por kjo të bëhet në bashkëpunim me mësimdhënësit sepse “ekspertët e Oksfordit ” nuk i din problemet e shkollave tona sot më mirë se ata që ballafaqohen me ato probleme. Mandej ta krijoj infrastrukturën e nevojshme ligjore për vlerësim permanent të performancës së mësimdhënësve (jo me testime por me vlerësim të vazhdueshëm), ku edhe pagat të bazohen në performancë dhe kur t’i përfundoj këto pastaj të mendohet për ndëshkime ndaj atyre që nuk tregojnë performancë pozitive. Por a mund të ketë vlerësim adekuat me kaq pak inspektorë arsimi sa ka sot Kosova? Le të mendojnë personat kompetent.
E me që jemi në pandemi do të duhej që edhe kësaj pjese t’i kushtohej rëndësi dhe përveç akuzave dhe sulmeve të mësohemi që ndonjëherë shkollave dhe mësimdhënësve t`ju themi edhe faleminderit. Nganjëherë po harrojmë që të gjithë njerëzit qoftë politikanët, mjekët, gjyqtarët, policët etj. kanë dalë nga shkollat prandaj aty duhet të orientohemi me qasje konstruktive dhe avancuese jo me arrogance, hakmarrje e joprofesionalizëm.
Sot kemi një sistem të çakorduar arsimor ku diku mbahet mësim normal, dikush mbanë gjysmë orari, dikush ka humbur me muaj mësim nga procesi e dikush ka mbajtur komplet mësimin dhe vendimet e institucioneve arsimore merren shabllon për të gjithë thuajse gjithçka është në rregull.
Asnjë vaksinë deri më sot për mësimdhënësit të cilët komplet pandeminë kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me virusin, bile edhe shumë kanë humbur betejën dhe askush nuk qan kokën. Pra duhet arsimi të trajtohet ndryshe duke filluar nga buxheti, trajtimi njerëzor, mbështetja materiale e profesionale e deri të ngritja e cilësisë e vlerësimi i performancës.
Pasi që masat janë liruar, pandemia është më në kontroll, duhet menduar që edhe shkollat t`I kthehen normalitetit. Nëse mjekët, politikanët e nganjëherë edhe mësimdhënësit po lejohen të shkojnë të organizuar për vikende në bregdet, sporti po zhvillohet, lokalet po e zhvillojnë aktivitetin e tyre, pse vetëm nxënësve u shkelen të drejtat dhe nuk lejohen të zhvillohet mësimi normal? A ka mundësi që virusi qenka rrezik vetëm për shkollat, apo këtu po goditet “samari duke mos guxuar të goditet gomari”?
Koha është që vaksinimi në arsim të kryhet shpejtë dhe shkollat t’i kthehen normalitetit 100 për qind sepse ky vit do të na kushtojë me dekada.
Ne jemi duke pritur hapa konkret që arsimit t`i kthehet nami dhe vlera që kishte dikur prandaj shteti duhet ta marr iniciativën, por me njerëz të ditur, profesional jo injorantë që fjalën e fundit e thonë të parën sepse ngutia dhe rrahja e gjoksit na ka kushtuar shumë!
Të fillojmë ta trajtojmë arsimin ndryshe dhe në vend të politizimit ta depolitizojmë atë dhe kështu do të ngritët edhe cilësia sepse fajtor kryesor pse është kjo gjendje sot në arsim është parimisht politika e pastaj vinë të tjerët!