Arsimi në Kosovë dhe tregtia me tekste shkollore
Hysen Beqa
Qeveria e Kosovës ka vite që shpërndan falas tekste shkollore për fëmijët nga parashkollorët e deri për ata të klasës së nëntë. Këtë vit vendosi ndryshe. Vendosi t’i shkelë vendimet e veta për parashkollorët duke dhënë këtë arsyetim: “Pas pranimit të vërejtjeve dhe rekomandimeve nga disa komuna dhe organizata të ndryshme kredibile, se teksti apo pako e ofruar deri tani për fëmijët e nivelit parafillorë nuk ka qenë e përshtatshme për këtë moshë të fëmijëve, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka vendosur që për vitin shkollor 2021-2022 të mos shpërndahet në shkolla”.
Meqë jam prind i fëmijës që mëson në ShFMU “Meto Bajraktari”, pyes: Kush janë ato organizata kredibile që determinojnë agjendën shtetërore për arsim? Kush i ka vlerësuar dhe me çfarë kritere i kanë cilësuar si kredibile? A kanë emra dhe kë e përfaqësojnë ato?
Pastaj, meqë ju thoni se këto tekste janë të papërshtatshme, pse i keni detyruar prindërit t’i blejnë pikërisht këto pako tekstesh me çmim prej 14 deri në 27 euro? A janë private apo publike shkollat e shtetit?