
Arsyet pse po mungojnë tifozët në stadiumet e futbollit në Kosovë
Megjithëse vlerësohet se cilësia e futbollit kosovarë, e posaçërisht atij në Superligën e Kosovës në futboll është rritur, kjo nuk po ndiqet njëjtë edhe në aspektin e interesimit të tifozëve për t’i parë ndeshjet e futbollit nga tribunat.
Mungesa e investimeve në stadiumet, cilësia e lojës por edhe rastet e dhunës në fushat e lojës, po konsiderohen si faktorët vendimtar që po e zbrapsin tifozin për të qenë i pranishëm në stadiume.
Ish-gazetari i sportit, Lulzim Shala, thotë për KosovaPress, se asnjëri nga stadiumet e futbollit në Kosovë nuk i plotëson as kushtet elementare që një tifozë të ndihet komod në tribuna.
“Sa i përket futbollit, shikueshmëri kaq të pakët që po ndodhin në stadiumet tona fillimisht duhet thënë se infrastruktura jonë e sportit, veçmas e stadiumeve është e tmerrshme. Me të vërtetë është e vështirë për ne, e tmerrshme sepse dihet që nga viti 1999 kur jemi çliruar dhe e kemi fituar pavarësinë ne nuk kemi arritur që ta krijojmë një infrastrukturë normale sportive. Kjo është pengesë e madhe sepse të shkosh sot në stadium sepse po e shohim në Evropë si janë kushtet, të ulet një shikues, të ketë aty edhe pije e ushqim, kurse te ne ulemi në stadium është ftohët, nuk ke mbulojë nga shiu, bora, të ftohtit dhe në ato kushte edhe shikuesi pranon që është vështirë të shkohet në stadium”, thotë Shala.
Cilësia e lojës por edhe mungesa e klubeve nga disa qytete të mëdha në Superligës, sipas komentatorit të sportit, Arbër Loxha, janë gjithashtu arsye që po shohim prani të vogël të tifozëve në ndeshjet e Superligës.
“Investimi i vogël nëpër impiantet sportive e bën të veten gjithashtu edhe cilësia dhe substanca e lojës që zhvillohet, mirëpo duhet thënë që edhe qytetet e mëdha si Peja, Mitrovica nuk i kanë klubet e tyre në Superligë dhe kjo bën diferencën pasi tifozë të ndryshëm do të vinin sikur të ishin këto klubet më me traditë dhe renome në Superligën e futbollit të Kosovës, Kam përshtypjen që një nga faktorët kryesor është investimet e pakta në stadiume”, thekson Loxha.
Ndërsa, sipas analistit të futbollit, Alban Lumi, dhuna ndërmjet tifozëve në disa stadiume po e zbeh fuqishëm interesimin për t’i parë ndeshjet nga afër.
“Edhe aty ku kemi tifozë shpeshherë plasaritje, fyerje e deri te kacafytjet mes vete dhe kjo ndikon që familjarët t’i mbajmë jashtë stadiumit. Këtu kryesitë e klubeve duhet të punojnë shumë më tepër me tifozët e vete, t’i bindin ata që skuadra e tyre duhet të anohet në mënyrë sportive dhe korrekte, më këngë e jo me fyerje të palës kundërshtare. Po e shoh një sindrom nga basketbolli i cili sikur ka marrë tatëpjetën kohëve të fundit dhe po bartet edhe në futboll. I shohim tifozët e njëjtë që ndoshta nuk e dinë që kanë ardhur të shohin futboll por mendojnë vetëm për tifozin kundërshtar”, thekson Lumi.
Trajnerit Gani Sejdiu thotë se një tjetër shkak i kësaj mungese të tifozëve në stadiume është edhe gjendja jo e mirë ekonomike e familjeve kosovare.
“Mendoj që kjo dukuri ka filluar më herët, jo vetëm në këtë sezon por është tash e sa vite duke u shfaqur kjo dhe duke humbur interesimi i shikuesve për shumë arsye…Mund të themi se ndoshta faktori i parë është infrastruktura jo e mirë, jo adekuate e cila nuk i plotëson kushtet për shikuesit që të shkojnë dhe t’i kenë të gjitha kushtet e nevojshme që ta përcjellin një takim ashtu siç duan ata. Pastaj mendoj që mund të jetë edhe gjendja socio-ekonomike e njerëzve të cilët me të vërtetë shumica ose kategoria më e madhe e njerëzve nuk janë në gjendjen më të mirë ekonomike dhe pastaj vështirë gjendet motivi për të shkuar për të parë ndeshje futbolli”, thekson Sejdiu.
Ndryshe, Superliga e Kosovës në futboll është në xhiron e 22-të saj, me Dritën dhe Ballkanin që po luftojnë për titullin e kampionit.