Arsyetimi i Apelit për kthimin e Ilir Abdullahut në paraburgim
Gjykata e Apelit më 3 nëntor 2023 e ka kthyer në paraburgim të dyshuarin për përfshirje në vrasjen e policit Triumf Riza, Ilir Abdullahu, i njohur si “Liza”, i cili paraprakisht nga Gjykata Themelore e Prishtinës ishte liruar nga paraburgimi duke iu zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të dorëzanisë në shumën 100 mijë euro.
Ilir Abdullahu dyshohet për veprën penale të “Vrasjes së rëndë” në bashkëkryerje me Enver Sekiraqën, Arben Berishën, Fitim Avdiun dhe Rrahim Abdullahun, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në vendimin e Apelit, thuhet se është aprovuar ankesa e Prokurorisë Speciale, për ndryshimin e aktvendimit të Themelores.
“1.APROVOHET ankesa e Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që NDRYSHOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special…. të dt.27.10.2023, dhe ndaj të pandehurit I.A ashtu që ll. CAKTOHET paraburgimi kundër të pandehurit I.A” thuhet në vendimin Apelit.
Në gjetjet e Apelit, thuhet se Themelorja nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme proporcionaliteti dhe përshtatshmërisë, kur ka zëvendësuar masën e paraburgimit me atë̈ të dorëzanisë në vlerën prej 100 mijë euro, duke e konsideruar si vendim jo të drejtë dhe jo të ligjshëm.
Tutje, Apeli ka potencuar se meqenëse i pandehur prej vitit 2007 e deri në ditën e arrestimit ka qenë në arrati, pra plot 15 vite, duhet medoemos që t’i caktohet masa e paraburgimit, me qëllim të sigurimit të tij në procedurë.
Apeli ka sqaruar po ashtu se me lënien e Abdullahut në liri, qëndron rreziku i arratisjes dhe krejt kjo duke marrë për bazë deklarimin e tij në seancë dëgjimore, ku kishte thënë se i duket e kotë të shkojë të fle në burg për arsye se sipas tij të gjithë e dinë se rasti është i montuar.
Prandaj, Apeli ka vlerësuar se me lënien e të dyshuarit në paraburgim, sigurohet një proces normal në çështjen penale ndaj tij.
Ndryshe, më 16 tetor 2023 Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte zëvendësuar Abdullahut masën e paraburgimit me atë të dorëzanisë në vlerën prej 100 mijë euro. Abdullahu deri në momentin e arrestimit të tij më 16 korrik 2023 ishte në arrati mbi 10 vite dhe ishte në kërkim edhe të INTERPOL-it.