Arsyetimi i kryeministrit Kurti për ndryshimin e masës për mallrat serbe
Qeveria e Kosovës hoqi të hënën masën e ndalimit mbi mallrat e importuara nga Serbia. Vendimi erdhi pas trysnisë së diplomatëve perëndimorë që e cilësonin masën, kundër parimeve të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore.
Vetë krryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se është ndryshuar masa e sigurisë për importin e produkteve serbe në njërën nga pikat kufitare me Serbinë.
Në një konferencë për media, Kurti të hënën tha se masa është ndërruar nga kufizimi në kontroll të shtuar, derisa të vijnë skanerët të cilët do të vendosen në të gjitha pikat kufitare.
Ai përmendi “dy zhvillime shumë të rëndësishme”- mbledhjen e CEFTA-s të mërkurën dhe samitin e Procesit të Berlinit më 14 tetor.
“Në shtatë ditët në vijim i kemi dy zhvillime shumë të rëndësishme, pasnesër është mbeldhja e CEFTA’së ndërkaq sot një javë është samiti i Procesit të Berlinit me rastin e 10 vjetorit ku edhe presim që të kalohet nga CEFTA në CRM apo në Tregun e Përbashkët Rajonal”, tha Kurti.
Ky vendim i Qeverisë vjen pas presionit të madh nga Gjermania, të cilët përmes të të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, paraqitën kërkesën për heqjen e ndalesës së importit të mallrave nga Serbia në Kosovë.
Sarrazin tha se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, apo Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.
Sipas tij, për shkak të kësaj ndalese, Kosova mund ta rrezikonte pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit – një nismë që synon ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, reagoi duke thënë se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr kufizimin ndaj mallrave të Serbisë, në pikën kufitare në Merdare.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do ta mbështesim Qeverinë e Kosovës, për të garantuar që plotësohen kërkesat e saj të sigurisë, dhe do të monitorojmë proceset në pikën kufitare”, ka thënë ai përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
Edhe ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka mirëpritur vendimin.
Kjo Ambasadë ka ndarë një përditësim në rrjetet sociale lidhur me vizitën e Victoria Billing, Drejtoreshës së Mbretërisë së Bashkuar për Evropën, e cila ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë takimit, Billing mirëpriti vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalesës së mallrave në pikën kufitare Merdare. Kjo lëvizje pritet të përmirësojë progresin brenda kornizës së Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).
“Ajo e nisi vizitën e saj me takimin me kryeministrin Albin Kurti. Ajo përshëndeti vendimin e qeverisë për të lejuar kalimin e sigurt të mallrave përmes pikës së kalimit Medare, si një hap i rëndësishëm drejt zhbllokimit të progresit në CEFTA. Ata gjithashtu diskutuan potencialin për rritjen e mundësive për investime MB-Kosovë, çështjet e sigurisë dhe marrëdhëniet me komunitetet joshumicë”, thuhet në njoftimin e ambasadës britanike.” – thuhet ndër të tjera në njoftim.
Bllokadën Qeveria e Kosovës e kishte vendosur për mallrat serbe pas rrëmbimit të tre policëve nga Serbia në qershor të vitit të kaluar, ku po atë ditë Dogana e Kosovës ishte urdhëruar që ta ndalojë hyrjen e të gjitha mallrave serbe në Kosovë.
Një javë më pas, vendimi u ndryshua, duke lejuar hyrjen e kamionëve me targa serbe, por me kusht që mallrat e tyre të mos kenë origjinë nga Serbia.