Arsyetimi i Themelores në aktgjykimin lirues në rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”
Në aktgjykimin lirues të rastit “Afera e Hidrocentraleve”, gjykata ka konstatuar se pretendimet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), nuk kanë qenë të faktuara dhe bazuara.
Në këtë rast, katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2, Mimoza Kusari Lila, Nenad Rashiq, Besim Beqa, Dardan Gashi si dhe Fllanza Hoxha e Arben Gjuka, akuzoheshin nga PSRK-ja për korrupsion, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Gjykata në këtë çështje penale ka nxjerrë aktgjykim lirues për të akuzuarit dhe ka konsideruar se akti akuzues/pretendimet e aktit akuzues nuk janë të faktuara e bazuara në prova”, thuhet në aktgjykim.
Ndryshe, aktgjykimi për këtë çështje ishte shpallur nga gjykatësi Valon Kurtaj më 8 nëntor 2022.
Sipas aktgjykimit, në rastin konkret nuk ka ekzistuar elementi bazë i veprës penale, ai i dashjes apo qëllimi për kryerjen e veprës penale.
“Gjykata nga të gjitha këto veprime- gjithë ky proces i zhvilluar deri në përfundimin e privatizimit të KKDFE, ka vërtetuar se akti akuzues është i pabazuar, akti akuzues nuk ka justifikuar/arsyetuar me asnjë provë të vetme faktet të cilat do të vërtetonin qëllimin e të akuzuarve për kryerjen e veprës penale, për përfitimin material apo dëmtimin e dikujt”, thuhet në aktgjykim.
E këtë, sipas aktgjykimit, e ka vërtetuar edhe ekspertiza e ekspertit financiar.
“Gjykata po ashtu edhe nga vetë ekspertiza e ekspertit financiar ka vërtetuar se të akuzuarit nuk kanë përfituar financiarisht asgjë nga ky proces, pasi që me autorizimin e prokurorisë ky ekspert i ka analizuar edhe llogaritë bankare (të hyrat financiare) të të akuzuarve, por nuk ka gjetur se këta të akuzuar kanë përfituar diçka nga ky proces”, thuhet në aktgjykim.
Tutje, sipas këtij aktgjykimi nuk ka mundur të faktohet pretendimi i prokurorisë se të akuzuarit kanë vepruar në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare dhe se cilin akt ligjor apo nënligjor e kanë cenuar duke mos zbatuar apo tejkaluar kompetencat e tyre.
Në vazhdim të aktgjykimit, po ashtu është cekur se nuk është vërtetuar se të akuzuarit me veprimet e tyre kanë përfituar apo i kanë shkaktuar dëm Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
“Faktin se me asnjë provë të vetme organi akuzës nuk ka potencuar apo vërtetuar se cili akt ligjor apo nënligjor është shkelur nga të akuzuarit me rastin e pretendimit të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, gjykata konsideron se në rastin konkret nuk ka vepër penale të kryer nga të akuzuarit, respektivisht se nuk është provuar me asnjë provë të vetme se në kundërshtim me çfarë legjislacioni apo akti nënligjor këta kanë vepruar”, thuhet në aktgjykim.
Ndërkaq, sipas aktgjykimit gjykata vetëm pjesërisht ia ka falur besimin ekspertizës së ekspertit financiar, Agim Sheqiri dhe deklarimeve të tij gjatë shqyrtimit gjyqësor.
“Ekspertiza e ekspertit financiar si provë bazë mbi të cilën organi akuzës e ka bazuar aktin akuzues, gjykata pjesërisht ia ka falur besimin. Pjesërisht ia ka falur besim pjesës së konstatimeve të cilat kanë të bëjnë me pjesën e zhvillimit historik të procesit të privatizimit dhe alokimit historik të aseteve në shpërndarje e jo në prodhim, ndërsa sa i përket konstatimeve lidhur me rekomandimet e IFC, ka keq citime dhe devijim nga përmbajtja linguistike e konstatuar në këto raporte”, thuhet në aktgjykim.
Tutje, në aktgjykim është shënuar se referencat në ligje të ekspertit janë bërë si të keq cituara, të cilat nuk kanë qenë në fuqi në kohën e pretenduar si kohë e kryerjes së veprës penale.
Ndërkaq, lidhur me dëmin e shkaktuar i cili është cekur nga eksperti, gjykata ka konstatuar se nuk është vërtetuar fare se ka ekzistuar dëm i shkaktuar.
“Po ashtu dëmi dhe përfitimi i konstatuar nga eksperti nuk është vërtetuar se është shkaktuar nga veprimet e të akuzuarve, qoftë për ndonjë përfitim për vete apo dikë tjetër apo për t’i shkaktuar dëm dikujt, pra nuk është vërtetuar fare se ekziston dëm i shkaktuar”, thuhet në aktgjykim.
Ndërkaq, Prokurori nga PSRK-ja, Atdhe Dema njëherësh edhe prokuror i rastit, ka njoftuar se ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktgjykimit të lartcekur.
Ndryshe, shqyrtimi kryesor në rastin “Afera e Hidrocentraleve” kishte filluar më 1 korrik 2021, gjatë së cilës seancë të akuzuarit ishin deklaruar përsëri të pafajshëm për akuzat e PSRK-së.
Në maj të vitit 2021, Gjykata e Apelit kishte njoftuar se e ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, që kishte konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjukaj.
Përmes një komunikate për media, Apeli kishte njoftuar se ndaj këtyre të akuzuarve do të vazhdojë gjykimi.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të vitit 2021 ua kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës, katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha, Arben Gjukaj.
Ndërsa, kjo gjykatë kishte pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Çitakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi.
19 të akuzuarit për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”, në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 28 tetor 2020, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishin deklaruar të pafajshëm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 10 prill 2020, Besim Beqaj akuzohej se si kryesues i Komitet Qeveritar për Privatizim (KQP) si dhe Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtarë të KQP-së, me qëllim që t’i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.
Sipas aktakuzës, të njëjtit më 8 maj 2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.
Të njëjtën ditë, vazhdon aktakuza, janë nënshkruar marrëveshja për importe, marrëveshja për transferim, marrëveshja për furnizim, marrëveshja për implementim, marrëveshja për borxhe dhe me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyllur procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen sepse një gjë të tillë e ndalon Ligji për Rregullatorin e Energjisë Elektrike me nr.05/L-04, neni 35, par. 4.
Sipas PSRK-së, këto asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK-ut, e me këto veprime të njëjtit kanë dëmtuar interesat e KEK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës si aksionar, konkretisht, vetëm për qira mujore për periudhën e mbetur, dëmi është 1,054.000.00 euro, sepse e njëjta është dashur t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese.
Me këto veprime, PSRK i ngarkonte këta të akuzuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, par.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
PSRK e akuzonte edhe Fllanza Hoxhën, se në cilësinë e menaxheres në projektin e privatizimit e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, i ka tejkaluar kompetencat e saj ashtu që edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek kompania “Limak-Calik”, gjenden edhe hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike dhe duke qenë në njohuri se të njëjtat nuk duhet të privatizohen, nuk ka vepruar konform detyrave të veta.
Për më tepër, sipas aktakuzës, Hoxha ka dhënë pëlqimin që një veprim i tillë të ndodh, veprim me të cilin ka dëmtuar interesat e KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar, ashtu që vetëm si qira mujore vlera dëmit ka qenë 1,054.000.00 euro ndërsa dëm tjetër është edhe vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, dëm i cili vazhdon edhe më tutje të shkaktohet në mënyrë të përhershme.
Me këtë, Hoxha akuzohej se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo detyrës zyrtare.
Për keqpërdorim të pozitës zyrtare akuzohej edhe Arben Gjukaj, i cili sipas PSRK-së, duke vepruar në cilësi të drejtorit menaxhues të KEK-ut, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se katër hidrocentrale gjeneruese të energjisë elektrike nuk është dashur të privatizohen sepse ia ndalon baza ligjore, i njëjti as nuk ka ndaluar e as nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që ato asete të ngelin në kuadër të KEK-ut.
PSRK akuzonte edhe Fadil Çitakun se në cilësi të kryesuesit të Bordit të KEK-ut, si dhe Mujë Rugovën, Agim Nikën, Flamur Keqën dhe Izet Ibrahimin në cilësi të anëtarëve të Bordit të KEK-ut, se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ashtu që edhe pse kanë qenë në njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen janë edhe katër hidrocentrale, që do duhej të mbeteshin në kuadër të KEK-ut, të njëjtit më 15 tetor 2012, kanë miratuar njëzëri që një veprim i tillë të ndodh duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar.
Për këtë arsye, të njëjtit akuzoheshin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Për lejimin e kalimit të katër hidrocentraleve në fjalë nga KEK tek kompania “Limak Calik”, në mënyrën të kundërligjshme sipas PSRK-së, akuzoheshin edhe ish-kryesuesi i Bordit të KKDFE-së, Gani Jashari si dhe anëtarët e Bordit të KKDFE-se, Burim Basha, Gelor Shala, Naim Hyseni dhe Avni Alidemaj.
Të njëjtit, sipas aktakuzës, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare pasi që edhe pse kanë pasur njohuri se hidrocentralet në fjalë është dashur të mbesin edhe më tutje në pronësi të KEK-ut, nuk kanë vepruar konform përgjegjësive të tyre si dhe kanë lejuar që transferimi të ndodh edhe pse e kanë pasur obligim të mbrojnë interesat e kompanisë së sapoformuar.
Prokuroria e akuzonte edhe Besnik Hazirin se në cilësinë e personit zyrtar, koordinator për shthurje të KEK-ut, me qëllim që t’i mundësojë çfarëdo përfitimi pasuror dhe t’i shkaktojë dëm personit tjetër, i ka tejkaluar kompetencat e veta, pasi që nga detyra që ka pasur për finalizim të aseteve dhe inventarit nga KEK në KKDFE, nuk i ka trajtuar hidrocentralet e dhëna me koncesion edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek “Limak-Calik”, gjenden edhe katër hidrocentralet në fjalë duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisës së Kosovë.
Me këtë, Haziri akuzohej se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar, akuzohej edhe Krenar Bujupi, i cili sipas PSRK-së, si anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe i deleguar në Komitetin Qeveritar të Privatizimit i ka tejkaluar kompetencat e tij duke e pranuar marrëveshjen për transferim të aseteve mes palëve KEK, KKDFE dhe më pas tek “Limak-Calik”, si të ligjshme përkundër faktit se Ligji për ZRRE, neni 35, par4 e ka ndaluar një veprim të tillë.
Kësisoj, me këtë veprim të tij, Bujupi, akuzohej se ka keqpërdor pozitën e tij zyrtare, ashtu që sikurse edhe të akuzuarit tjerë, i kanë shkaktuar dëme që kapin shifrën e milionave, KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar të saj.