Artan Berisha dhe Ragip Veseli rikthehen në Feronikel
Skuadra e Feronikelit vazhdon me freskime për edicionin e ri futbollistik 2020/2021. Pas rinovimit me trajnerin Afrim Tovërlani dhe me disa futbollist, skuadra e Feronikelit ka zyrtarizuar sot se në klub janë rikthyer Artan Berisha dhe Ragip Veseli.
Veseli do të jetë zëvendëspresident i klubit, ndërsa Berisha do të marrë pozitën e drejtorit të përgjithshëm.
“Përveç ardhjeve të reja në futbollistë, FC Feronikeli është përforcuar edhe në aspektin administrativ. Artan Berisha dhe Ragip Veseli janë edhe zyrtarisht pjesë e klubit, me besimin e plotë të presidentit Ramaj. Dyshja Veseli dhe Berisha pritet ti japin freski klubit, pas një edicioni jo të mirë në sezonin 2019/20. Ragip Veseli vjen në pozitën e zëvendëspresidentit të klubit, ndërsa Artan Berisha në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm. Pas ardhjes në bord të Ragip Veselit dhe Artan Berishës, klubi pritet të sjellë futbollistë me emra të mëdhenj në skenën vendore dhe ndërkombëtare. Gjatë javës priten edhe zyrtarizime të reja në aspektin sportiv”, thuhet në njoftimin e Feronikelit.
(V.Z / Epoka e re)