Artan Murati: Kosova nuk ka strategji bisedimesh me Serbinë
Në një intervistë për gazetën “Shekulli” Koordinatori i Institutit Demokratik të Kosovës, Artan Murati, ka theksuar se politika e Kosovës influencohet nga liderët e saj.
Ai ka thënë se mungojnë platformat politike dhe ajo çka është më e rëndësishmja që, partitë politike janë të paunifikuara.
“Dialogu me Serbinë është i paevitueshëm për shtetin e Kosovës. Është procesi i fundit për të kompletuar shkëputjen ligjore dhe faktike nga Serbia. Pas sakrificave shekullore të një populli të tërë, tanimë duhet të sigurohet edhe stabiliteti i shtetësisë së Kosovës, duke garantuar një të ardhme të sigurt për rrugëtimin drejt BE-së dhe organizatave tjera ndërkombëtare. Dialogu që nga fillimi i tij në 2011 e deri më tani jo çdoherë ka prodhuar rezultatet e pritura për palën kosovare, mirëpo kjo ka ardhur më shumë si rezultat i mos vëmendjes së duhur nga ana kosovare për dialogun me Serbinë. Kosova ka negociuar tash e sa vite pa platformë dhe pa vizion se çka do të sjellë dialogu. Tani jemi në fazën finale, ku shumë lehtë ky vit mund të sjellë edhe marrëveshjen përfundimtare mes palëve, kurse në Kosovë ende po flasim se kush duhet ta udhëheqë dialogun. Përkundër lëvizjeve të fundit, krijimit të grupit të delegacionit shtetëror për dialog, megjithatë ende nuk është arritur gjithë përfshirja në proces. LDK dhe Vetëvendosje, si dy grupet më të mëdha parlamentare në opozitë, vazhdojnë të mbesin jashtë këtij formacioni. Edhe në rast të një marrëveshjeje potenciale në këtë kohë, me pozicionet aktuale nuk ka vota të mjaftueshme për të ratifikuar atë marrëveshje në Kuvend”, ka thënë Murati.
Sa i përket taksës, ai ka thënë se si veprim politik një gjë e tillë është dashur të ndodhë edhe më herët, duke aplikuar reciprocitet me atë se si trajtohen mallrat dhe prodhuesit Kosovar nga Serbia.
“Thënë shkurt, vendimi për taksën është ndër të vetmit, bashkë me transformimin e FSK-së, të cilat janë përkrahur nga të gjithë në Kosovë. Tani jemi në një situatë të re, ku taksa është duke u përdorur si karrem për dialogun. Serbia ka kushtëzuar dialogun me heqjen e taksës, qëndrim që deri diku përkon edhe me qëndrimin e BE-së, sepse BE në vazhdimësi ka kërkuar heqjen e kësaj takse. Kryeministri Haradinaj po deklarohet me qëndrime maksimaliste, se do ta heqë taksën vetëm kur Serbia ta njoh Kosovën. Kjo është e dëshirueshme, por pak e vështirë për tu besuar. Taksa, ndër të tjera, ka ardhur edhe si përgjigje për fushatat e egra të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës, duke lobuar kundër anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Kulmoj me dështimin e Kosovës në Interpol. Kjo është edhe arsyeja përse taksa është vendosur edhe për produktet e Bosnje-Hercegovinës, pra, për shkak të mosnjohjes së Kosovës dhe pengesave për Kosovën në rrafshin e politikës ndërkombëtare”, ka deklaruar Murati.