Artan Murati thotë se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja
Njohësi i proceseve politike në vend, Artan Murati, e konsideron të panevojshme idenë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se kushdo që flet për zgjedhje të reja nuk ia do të mirën vendit dhe qytetarëve të Kosovës.
Murati ka pohuar se Qeveria mund të krijohet nga dy subjektet e para, LV-ja dhe LDK-ja, dhe komunitetet joserbe.
Sipas tij, në asnjë rrethanë kjo qeveri nuk varet nga Lista Serbe.
“Kushdo që flet për zgjedhje tjera, të reja, nuk ia do të mirën vendit dhe qytetarëve të Kosovës. Rezultati është i qartë. Qeveria mund të krijohet nga dy subjektet e para dhe komunitetet joserbe. Në asnjë rrethanë kjo qeveri nuk varet nga Lista Serbe. Po ashtu, në çfarëdo matematike nuk mund të krijohet shumicë me 80+ vota pa llogaritur në votat e ish-subjekteve nga PAN-i. Pra, nëse vije puna deri të votimi i një marrëveshjeje finale me Serbinë, e që vështirë të mendohet se mund të ndodhë në një afat të shkurtër kohor, prapë se prapë duhet votë e (pothuajse) të gjitha subjekteve. Pra, lëreni budallaqet anash, e shfrytëzojeni energjinë për punë të mbara. Nuk kemi kohë me humb. E sidomos, nuk kemi kohë me dalë në zgjedhje prapë, pa pikë nevoje”, ka shkruar Murati.
/Epoka e re/