Arteta: Saka, një lojtar i pabesueshëm
Mikel Arteta vlerësoi cilësinë e ndryshimit të lojës së Bukajo Sakës, pasi ai frymëzoi fitoren 3-1 të Arsenalit ndaj Sauthemptonit, duke thënë se 23-vjeçari ka bërë një hap tjetër këtë sezon.
Saka ndërtoi golat për Kai Havercin dhe zëvendësuesin Gabriel Martineli përpara se të shtonte të tretin vetë, duke përmbysur rezultatin për “Topçinjtë” që e panë veten në disavantazh pas golit të Kameron Arçerit në “Emirates Stadium”.
Asistet e tij këtë sezon në Premier Ligë shkuan në shtatë, më shumë se çdokush tjetër dhe goli i tij këtë fundjavë, pasoi atë në fitoren e Champions-it ndaj PSG-së në mesjavë.
Arteta e vlerësoi për kontributin e tij kundër “Shenjtorëve” dhe shtoi se kjo nënvizonte gatishmërinë e produktit të akademisë për të mbajtur më shumë përgjegjësi në shpatullat e tij, edhe në një moshë kaq të re.
“Kjo është pjekuria dhe këto janë hapat që lojtarët duhet të bëjnë. Ai ka qenë mjaft gjatë në ekip tani, ai ka të drejtë ta ketë atë rol”, tha trajneri spanjoll për Saka.
“Ai beson se ka kapacitetin për të ndryshuar ndeshjet si shumë lojtarë të tjerë dhe ai dëshiron të jetë në krye. Ndonjëherë lojtarët duhet t’i krijojnë këto momente, dhe ai sigurisht e bëri këtë përsëri. Mendoj se është një hap tjetër përpara dhe kjo është ajo që ai dëshiron. E bën në shtëpi, e bën në transfertë, në ndeshjet e mëdha, në ato ndeshje që nuk janë aq të mëdha dhe kur skuadra ka nevojë, jo kur ajo është duke fituar 3-0. Kjo është ajo që e përcakton një lojtar të madh. Ajo që ai po bën në këtë moshë është e pabesueshme. Dhe ne kemi shumë shembuj të tillë gjithashtu”, shtoi trajneri.
Ai luajti me një katërshe sulmuese që në total ka shënuar 279 gola dhe regjistruar 158 asiste në Premier Ligë, por ishte sulmuesi më i ri i kësaj katërsheje që me të vërtetë po spikat dhe merr prej dore skuadrën kur ajo ka më shumë nevojë.