Arti Krasniqi i katërti në ‘Patra 2019’
Notari Arti Krasniqi për pak nuk arriti të fitojë medaljen e bronztë në Lojërat Mesdhetare në Rërë “Patra 2019”.
Notari Krasniqi doli i katërti në disiplinën 5 kilometra në ujëra të hapura, nga 16 garues pjesëmarrës. Koha e tij ishte 59 minuta e 49.10 sekonda, vetëm 22 sekonda më shumë se sa medalisti i bronztë, greku Georgios Arniakos.
Dy vendet e para iu takuan italianëve: Andrea Manzi (57.57.20) dhe Marcello Guidi (57.57.8).
“Kam dhënë maksimumin, normal që pasi dola I katërti, jam pak i zhgënjyer që për pak nuk dola i treti, por edhe kjo pozitë është shumë e mirë për mua. Jam i kënaqur me paraqitjen. Gara nuk ishte e lehtë për shkak të valëve që mbretëronin”, deklaroi Arti Krasniqi për “noc-kosovo.org”.
Gara e tij u ndjek nga drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës dhe atë të Federatës së Notit të Kosovës, të cilët po ashtu mbetën të kënaqur me paraqitjen e shkëlqyeshme të Artit, i cili dëshmoi se ka cilësi dhe të ardhme të ndritur. Arti ditë më parë vendosi të lë Gjermaninë për të përfaqësuar Kosovën.