Artileria e Koshares – “APOKALIPSAT”
Suksesi i Betejës së Koshares është produkt i aktivitetit të përbashkët e mirë të koordinuar të të gjitha strukturave përbërëse të Brigadës 138 “Agim Ramadani”.
Një rol të rëndësishëm ka pasur artileria e Brigadës, që ne i quanim “APOKALIPSAT”, nga fjala Apokalips: fund i përgjithshëm tragjik, katastrofë e madhe. Këtë emër e merituan me zjarrin e saktë e të fuqishëm, që armikut ia bënë këtë Betejë ferr mbi tokë.
Ngritjes së “Apokalipsave” i parapriu trajnimi intensiv dhe përgatitja profesionale që u realizua me grupet e para të artilierëvë, para fillimit të sulmit. Stërvitjet u drejtuan nga eprorët e GO-3, në bashkëpunim me oficerë nga Tropoja.
Grykat e zjarrit të djemve tanë, minahedhësat 60mm, 82mm, 107mm, 120mm, 160mm, topi 122mm i kanë shkaktuar armikut humbje të mëdha – tokën nën këmbë ua kanë dridhë forcave serbe. Falë llogaritjeve të sakta të njësisë së llogaritësve, predhat e artilerisë sonë e kanë goditur cakun me precizitet të madh. Falënderim i veçantë njësisë së llogaritësve!
Edhe artileria e armikut na ka goditur fort dhe pandërprerë, por profesionalizimi, guximi dhe ndjenja e lartë e përgjegjësisë së “Apokalipsave”, e bënë të mundur realizimin me sukses të detyrave dhe në asnjë moment të mos mungojë mbeshtetja me artileri në të gjitha drejtimet e frontin dhe në thellësi të tij.
Apokalipsat me zjarrin e saktë, të shpejtë dhe befasues në goditjen e forcave të armikut para vijës së parë të luftimit, neutralizimin dhe shkatërrimin e artilerisë dhe mjeteve të blinduara në thellësi, në momente kritike të luftimit, i shndërruan thirrjet “Breshëri”, “Breshëri i zi”, “Lila”, “Loshi”, në një faktor të rëndësishëm shprese, sigurie dhe fuqie për forcat tona dhe panik e tmerr për forcat serbe.
Zjarri i Apokalipsave në thellësi të Kosovës, me kërkesë të Komandës së Zonës Operative të Dukagjinit për goditjen e forcave serbe në atë zonë, ishte tregues i bashkëveprimit të frontit të Koshares me forcat tjera të UÇK-së që vepronin në brendësi të vendit.
I falënderoj nga zemra të gjithë ushtarët dhe eprorët e “Apokalipsave” të Koshares sonë.
Shkruan: Ish-komandanti i Koshares, Rrustem Berisha.
(S.Z / ‘Epoka e re’)