Artistët që i dhanë jetë e gjallëri karantinës (Foto)
Muajt e qëndrimit mbyllur në shtëpi ishin vështirë të përballueshme për çdo njeri, pasi monotonia ishte pjesë e pandashme e çdo dite.
Megjithatë, disa individë inspirimin më të madh të bërë punën e tyre e gjetën gjatë ditëve të karantinës, duke e bërë këtë periudhë shumë më të lehtë për veten dhe çdo njeri që shfrytëzonte rrjetet sociale.
Artistë të shumtë nga Kosova dhe më gjerë shfrytëzuan këto platforma për të shpalosur punën dhe krijimet e tyre artistike dhe për t’ju dhënë dashamirësve virtualë të artit arsye për të gjetur pozitivitet, por edhe për të parë realitetin nga një dimension krejt tjetër.
Besnik Xhemaili është një ndër artistët dhe piktorët më aktivë gjatë karantinës, i cili i shfrytëzoi rrjetet e veta sociale dhe grupin “#rri N’shpi me neve” për të paraqitur përmes veprave artistike problemet tona të përditshme, por duke e pasur më së shumti në fokus kaosin urbanistik të Prishtinës.
“Duke qenë se kisha mjaftueshëm kohë, vendosa që të studioj dhe vizatoj me teknikën e akuarelit rrugët dhe lagjet e Prishtinës, duke u munduar që ta sfidoj veten me perspektiven problematike të qytetit tonë, duke qenë se në cilëndo rrugë e lagje që vëzhgojmë ka kaotikë dhe mungon harmonia arkitekturore”, u shpreh artisti Xhemaili për “Scanner”.
Pamundësia për të parë njerëzit më të dashur dhe distanca sociale, vetmia dhe zbrazëtia e qyteteve, ndjenja se si duket Toka në kohën e pandemisë dhe mungesa e kryerjes së ritualeve fetare nëpër objekte fetare, ishin disa nga tematikat bazë që u kapën si është më së miri nga objektivi i fotografes së njohur, Bardha Goga.
“Çdo ditë jam munduar të sjell foto-dokumentim nga periudha e pandemisë, dhe nga rezultatet që kam fituar nga puna ime e pandalshme është se kam arritur të shoh pjesën pozitive edhe në situatën e vështirë në të cilën gjendeshim”, tregoi Goga për Scanner.
Ajo tregoi se me fotografinë e një burri duke e falur namazin e Ramazanit në oborrin e shtëpisë së tij, në pamundësi që të shkonte në xhami, e ka zënë vendin e parë në një garë fotografie.
Fotografi i botës së egër, Arian Mavriqi ishte ai i cili padyshim e pasuroi karantinën dhe i pasuroi ndjekësit e tij me njohuri shtesë mbi specie të rralla që jetojnë në Kosovë, por edhe jashtë vendit.
Ai tha se ditët e izolimit e ndihmuan atë dhe fotografë të tjerë të botës së egër që të ishin më afër shpezëve dhe kafshëve, por mbi të gjitha pati ndikim pozitiv tek njerëzit, të cilët nisën ta çmonin më shumë fotografinë dhe artin në përgjithësi.
“Njerëzit filluan shumë më shumë të vlerësojnë nivelet artistike, sidomos fotografinë dhe të binden në atë thënien shumë të çmueshme: “NJË FOTO SA 1000 FJALË”. Ata panë se fotografia mund ta na largojë nga ndjenja e pesimizmit dhe një foto mund të ndryshojë shumë gjendjen psiqike të njeriut dhe të sjell shumë pozitivitet”, u shpreh ai.
Artistët janë të mendimit që arti mori një dimension tjetër të vlerësimit gjatë periudhës së pandemisë, dhe urojnë që i njëjti vlerësim të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Fotografja Goga theksoi se fotografitë në përgjithësi, e sidomos albumi “I will rise Again”, në të cilin u shpërfaq lufta e Tokës me COVID-19, kishte marrë kritika shumë pozitive nga ndjekësit e punës së saj në rrjete sociale.
Ndërkaq, nga analiza që e ka bërë artisti Xhemaili pas shpërndarjes së veprave të tij në grupe të ndryshme online, është i mendimit që njerëzit kanë pasur mundësi të kuptojnë se sa shumë artistë të talentuar ka në Kosovë, duke qenë se shumicën e kohës e kanë kaluar online dhe pa pasur mundësi të merren me aktivitetet e tyre të përditshme që e kanë mbizotëruar jetën e tyre para karantinës.
Dy grupe të veçanta që fotografi Arian Mavriqi i vlerëson shumë për kontributin për artin janë “Wildlife Albanian Photographers” dhe “Maniakë t’Fotografisë”, që sipas tij po shpërfaqin shumë fotografë të rinj dhe të talentuar, që po sjellin prurje të reja në botën e fotografisë shqiptare.
Përgjatë ditëve të mbyllur në shtëpi, shqiptarë të shumtë e shfaqën më së miri kreativitetin e tyre që duke qëndruar në distancë, të mbesin në kontakt me njerëz të ndryshëm, si dhe duke krijuar grupe ku njerëzit mund të argëtoheshin e të ndanin me njëri-tjetrin fotografi, piktura, skulptura, këngë, poezi e vepra të tjera./ Realizuar nga Fatbardhë Kiqina, bashkëpunëtore e Gazeta Scanner/