Artisti Alban Muja do ta prezantojë Kosovën në Bienalen e Venedikut
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, ka bërë me dije se artisti Alban Muja do ta prezantojë Kosovën në edicionin e 58-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venedikut që do të mbahet nga 11 maj deri më 24 nëntor të viti 2019.
Ministri ka vlerësuar se prezantimi i Kosovës në këtë ngjarje përmes Alban Mujës është tejet i rëndësishëm për shtetin tonë.
Gashi ka thënë se artisti i cili do të prezantojë Kosovën në Bienale është emër i afirmuar edhe në skenën botërore të artit.
“Pas propozimit të komisioneres së Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut, drejtoreshës së Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, sot mora vendim që artisti Alban Muja të prezantojë Kosovën në edicionin e 58-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venedikut që do të mbahet në vitin 2019 nga 11 maj deri më 24 nëntor. Prezantimi i Kosovës në këtë ngjarje përmes Alban Mujës, është tejet i rëndësishëm për shtetin tonë. E vlerësoj jashtëzakonisht shumë pjesëmarrjen e Alban Mujës në ekspozita dhe festivale të ndryshme jashtë vendit, duke paraqitur Kosovën në mënyrë më të mirë të mundshme. Artisti i cili do të prezantojë Kosovën në Bienale, është emër i afirmuar edhe në skenën botërore të artit. Puna e Mujës është ekspozuar gjerësisht në festivale të ndryshme, panaire arti, ekspozita grupore dhe solo”, ka shkruar Gashi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/