Artisti Blerim Peci do të kujtohet përgjithmonë
Nën përkujdesjen e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, të dielën është mbajtur akademia përkujtimore me rastin e njëvjetorit të vdekjes së artistit, Blerim Peci.
Të pranishëm në këtë akademi përkujtimore ishin përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, deputetë, aktorë, familjarë të artistit Blerim Peci dhe përfaqësues të tjerë.
“Familjarë, aktorë dhe kolegë të Blerim Pecit, sot po e përkujtojmë, në njëvjetorin e vdekjes, të afërmin tuaj dhe ish-mikun tonë. Kujtimet tona dhe të publikut për ta njohur Blerimin filluan në shfaqjet e tij brilante në projektin ‘Thyerja’, ku rolin e kishte ‘I dehuri’. Nga këtu fillon publikimi i talentit të tij dhe njohja me publikun”, ka thënë ministri Gashi.
Ai ka shtuar se pjekuria e aktrimeve të tij është parë në aktrimet e “ShowMeseletion”, në Mitrovica Stars”, në “Vitin e ri artistik”, pastaj në “Taletin X” dhe ne të gjithë i kemi kujtimet e freskëta për aktrimin e tij në projektin televiziv “Vikendi” e shumë përfaqësime të tjera të cilat frymuan lirinë e tij artistike.
“Përveç rrugës së aktrimit, ai intervistoi në një program ‘Udhëtimi në kohë’ disa kryetarë komunash, deputetë etj., të cilat biseda kishin një qasje tjetër nga ajo e gazetarisë së rëndomtë. Aktivitetet e Blerim Pecit do të mbeten përjetësisht në kujtesën tonë dhe do të jenë inspirim për aktorët dhe aktruesit e rinj. Kujtimet për Blerim Pecin qofshin gjithmonë të paharruara”, ka deklaruar ministri Gashi.
Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Mentor Shala, ka thënë se në televizionin publik po ndihet mungesa e Blerim Pecit.
“Po vërehet mungesa e emisioneve të veçanta të tij që i ka pasur. Publikut të Kosovës po i mungon shumë Beli. Për nder të vlerave që kanë pasur emisionet e tij, unë, në bazë të kompetencave që kam si drejtor i RTK-së, kam vendosur që në kuadër të çmimeve që i ndan RTK-ja për personalitetet e vitit për kontributin që kanë dhënë në fushën e televizionit dhe radios, një nga çmimet ta mbajë emrin e Blerim Pecit. I përjetshëm qoftë kujtimi për të!”, ka thënë Shala.
Bashkëshortja e tij, Afërdita Sopjani-Peci, ka falënderuar të pranishmit dhe të gjithë ata që iu gjenden pranë për t’ia lehtësuar dhimbjen për bashkëshortin e saj, artisin Blerim Peci.
“Për të folur për Belin ka shumë, por është e vështirë për t’i zgjedhur fjalët. Për atë çfarë kemi pasur për të thënë për Belin e keni rastin për ta shikuar dokumentarin ‘Përgjithmonë’”, ka thënë Afërdita Sopjani-Peci.
Në fund është shfaqur dokumentari “Përgjithmonë”, i realizuar nga RTK-ja, autore e këtij dokumentari ishte bashkëshortja e artistit Blerim Peci, Afërdita Sopjani-Peci, kurse regjia është bërë nga Kastriot Saqipi-“Kaqa”.
/Epoka e re/