Artmotion deponon kallëzim penal ndaj Kryetarit të KPM-së
Kompania Artmotion, përmes ekspertëve ligjorë të angazhuar, ka deponuar sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) një kallëzim penal ndaj Kryetarit të Këshillit të Pavarur të Mediave (KPM), Muja Ferati, për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar.
Gjithçka filloi kur kanali Arena Sport, që është një nga mbi 180 kanalet që ofron Artmotion, nisi të transmetojë lojërat e Ligës së Kampionëve dhe Europa Ligës. KPM-ja kishte kërkuar nga Artmotion që të deponojë pranë institucionit marrëveshjet që Arena Sport ka për ritransmetimin e këtyre eventeve sportive.
Artmotion kishte deponuar në KPM marrëveshjet dhe konfirmimet të cilat dëshmonin se gjithçka është krahas legjislacioneve dhe praktikave ndërkombëtare, pjesë e të cilave është edhe Kosova dhe KPM-ja. Kjo është një procedurë rutinore e KPM-së dhe deri në këtë pikë gjithçka kishte shkuar sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi.
Mirëpo, ky fakt nuk i pëlqente Muja Feratit, i cili tashmë kishte marrë një mision që ta dëmtonte Artmotion, duke e (keq)përdorur pozitën e tij zyrtare dhe institucionin ku ai është përgjegjës në cilësinë e kryetarit.
Duke ushtruar ndikimin e tij, Ferati kishte kërkuar nga zyrtarët e KPM-së që të kontaktojnë direkt me kompaninë TEAM Marketing, e cila i shet të drejtat e UEFA-së, për ta rikonfirmuar këtë fakt. Pas disa ditësh kishte arritur konfirmimi nga kompania TEAM Marketing ku ceket që Arena Sport i ka të drejtat për territorin e Republikës së Kosovës, krahas kompanive Kujtesa dhe RTS, thuhet në njoftimin për media të leshuar nga Artmotion.