As Bislimi nuk do të marrë pjesë në takimin e Ramës me liderët e rajonit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi nuk do të marrë pjesë në takimin që ka thirrur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me liderët e rajonit.
Këtë e ka konfirmuar këshilltari i tij, Klisman Kadiu, i cili ka thënë se pjesëmarrja e Bislimit në këtë takim nuk ka qenë i planifikuar dhe as i konfirmuar.
Kadiu iu referua disa mediumeve në Shqipëri, pasi u tha që në vend të kryeministrit Albin Kurti do të shkojë një zëvendëskryeministër, meqë shefi i qeverisë ndodhet në Greqi.
“Lajmi i djeshëm për pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Bislimi në takimin joformal në Tiranë nuk është i vërtetë. Nuk ka qenë i planifikuar e aq më pak i konfirmuar”, ka shkruar Kadiu.
“Meqë nuk ka patur asnjë konfirmim nga zëvendëskryeministri Bislimi, atëherë nuk ka mundur as t’i refuzohej pjesëmarrja apo prania e tij. Prandaj edhe raportimet nga disa media shqiptare në lidhje me refuzimin nuk janë gjë tjetër veçse spekulim dhe duke qenë i tillë veç mund të spekulojmë për origjinën e tij”.