As Grenellin nuk po e tundon Albin Kurti, lëre më Trampin

15 nëntor 2024 | 11:19

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Grenelli është engjëll krahasuar me……: Në Amerikë përfunduan zgjedhjet ashtu si pata shkruar në gazetën “Epoka e re”, Trampi ishte si Barcelona, Harris si Reali, pra Barcelona e shkërmoqi Realin me rezultat 4 me 1. Ashtu edhe Trampi bëri diferencën me vota elektorale, fitoi votat popullore, e fitoi shumicën në Senat sikur që vetëm 4 vota e ndajnë nga shumica në Dhomën e Përfaqësuesve apo Kongres. Realisht, Kamala Harris sipas rregullave tona zgjedhore nuk e kaloi pragun. Sikur Nisma në zgjedhjet e fundit kurse Trampi i fitoi të gjitha, sikur LV-ja në zgjedhjet e fundit. Forcat politike që deklarohen si të djathta në Kosovë e që prejardhjen politike por edhe veprimin e kanë të majtë iu gëzuan fitores së Trampit kurse Pacolli, nga aeroporti i Marecit fluturoi në Mar a Lago në Florida për të festuar këtë fitore. Natyrisht, u takua edhe me Ilon Musk për ndonjë investim në të ardhmen. Sigurisht se këtë investim material, profesional dhe intelektual, Pacolli do ta përdorë në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë për t’u bërë pjesë e Kuvendit. Nuk kam asnjë dyshim se do të bëhet. Fitores së Trampit i janë gëzuar Sali Berisha dhe Ilir Meta, i pari me shpresë se do të denongratizohet (do i hiqet non grata) dhe Meta se do ta ndërrojë ambientin e banimit, nga 313, burgu në Tiranë, te hoteli i Lul Morinës apo, për t’u bërë pak më modest dhe popullor, te Gjiri i Lalëzit. Gjasat për këtë janë si të Muços që shkonte pas daive të dashit. Fitorja e Trampit ua ka pasuruar fjalorin fyes ndaj SPAK-ut dhe Xhorxh Sorosit. Nuk do të vepronin kështu po të kurseheshin nga SPAK-u dhe po të merrnin lekë nga plakushi Xhorxh.

Po në Kosovë, a pati hidhërim apo gëzim: LV-ja votoi për Harris dhe kundër Trampit. Opozita ishte me Trampin duke shpresuar se do ua heqë qafe Kurtin dhe elitën e tij intelektuale që janë Dimal Basha, Halil Thaçi, Mef  Bajçina, Pambuke Kullashki, Cube Drejtësia, Rozafa Majmali, Hajnrullah Çeko, Xhelal Stupci, Artan Dizelli, Ben Hajni dhe të tjerët, numri i të cilëve nuk është i vogël. Në fakt, përbëjnë shumicën absolute. Dimali është si Baba Vanga i LV-së, i parasheh gjërat në Amerikë me një saktësi të pabesueshme sikur që parapau se Harris do të fitojë bindshëm në zgjedhjet në……Kurdistan. I gjori Dimal, djalë i mirë sa nuk e ka shoqin por se nuk sheh politikisht më larg se hunda. Madje as aq.

Shpresat e opozitës, te qok… e Grenellit: Opozita e mendon Grenellin si gogol për Kurtin duke harruar se Trampi prenë dhe qepë për të gjithë, krejtësisht sipas masës të përcaktuar nga vet ai e jo përmasave trupore të klientelës. Duket se kësaj radhe një Tramp më i pjekur politikisht ka vendosur ta lë Grenellin lakuriq sa i përket fuqisë së ndikimit dhe vendimmarrjes politike. Grenellin eventualisht mund ta përdorë për punë jo shumë apo aspak të pastërta. Kosova duket se nuk paraqet asnjë interes për administratën Tramp 2. Administrata Tramp 2 ka më shumë interes te Serbia, pa asnjë dyshim. Serbia ofron lithium, ka nënshkruar marrëveshje miliarda dollarë për energji me Amerikën, mundëson investime miliarda euro nga Kushner, dhëndër i Trampit, në Serbi, shërben si urë lidhëse me Rusinë, Iranin,  Indinë dhe Kinën etj. Kosova nuk ofron asgjë që u përmend më lartë përveç trurit të Dimalit, Mefit, Pambuke Kullashkit, Cube Drejtësisë, Xhelal stupcbejzbollit, Rozetës së Himalajeve, Halil Cefalusit, Pecit të Vogël, Donika Shvarcvaldit  etj., margaritarë të dijes dhe pionierë të Inteligjencës Artizanale, shkallë më e avancuar se ajo artificiale.

Po Albini, si dhe sa do të përfitonte nga Grenell: Nëse dikush realisht do të përfitonte nga faktorizimi i Grenellit, ai, pa asnjë dyshim do të ishte Albin Kurti përmes riviktimizimit. Herën e parë, Grenell dhe opozita e papërgjegjshme që e rrëzuan në kohën e pandemisë, ia siguruan Kurtit 51 për qind të votave. Albin Kurti e ka çështje të mbijetesës politike, pse jo edhe fizike, konfrontimin me administratën Tramp 2 duke e konsideruar si xhoker pikërisht Riçard Grenellin. Për Albinin, një telefonatë me Trampin apo Rubion do të ishte si një bisedë me Zotin vet, pavarësisht përmbajtjes së bisedës. Për Albinin situata më e rëndë do të bëhej nëse as nuk do të riviktimizohej nga Grenell e as nuk do të telefonohej nga Tramp ose Rubio, do të mbetej në situatë duke pritur Godonë. Mendoj ashtu do të ndodhë. Albinin mund ta forcojë brenda Kosovës kryeneçësia e opozitës së papjekur politike të Kosovës, në vend të shfrytëzojë njëqindmijë penallti që ia mundëson pozita, këta luajnë me karta blof, në antiamerikanizmin e Albinit dhe me këtë vetëm e rrisin.  Albini, në planin ndërkombëtar është i mbaruar, sikur Sholci që iku për lesh. Në planin ndërkombëtar Albini po e luan ruletin rus me Marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, marrëveshje që brutalisht e shkërdhenë pavarësinë e Kosovës dhe sovranitetin policor. Marrëveshje që e defaktorizon Gjykatën Kushtetuese në favor të arbitrazhit. Terr Abazoviqi, përmes Kishës Ortodokse e ktheu Serbinë në Mal të Zi, Albin Kurti me Marrëveshjen e Brukselit e shndërron Kishën Ortodokse serbe në Kosovë, në shtet brenda shtetit. Serbëve iu siguron autonomi politike dhe territoriale. E përjashton njohjen reciproke. Dhe që puna të bëhet m.t, Albin Kurti më shumë angazhohet për realizimin e kësaj marrëveshjeje, se që ishte angazhuar Ismail Qemali për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë!

I ndihmuar nga “këshilltarët” përfitues, filojugosllavi i dëshmuar, Veton Surroi dhe mercenari Marc Weller. Dhe nga një “diplomate” skajshmërisht e hendikepuar profesionalisht, Donika Shvarc. Këto duhet të jenë argumente për opozitën e jo “antiamerikanizmi” i Kurtit. Nëse opozita i mirëpërdorë këto argumente, Kurti nuk i fiton as 30 për qind të votave kurse PDK-ja dhe LDK-ja nuk janë nën 24 për qind, AAK – NISMA nën 9 për qind e as Lidhja për Familjen nën 5 për qind. Në këto rrethana LV-ja ka gjasa të mos jetë partia e parë. Nëse opozita i mëshon lahutës duke madhëruar Grenellin apo shpreson se administrata Tramp 2 do të votojë për ta se janë burra të mirë, do ta fitojnë të trashët e Surlës apo, në vend të mishit për zgarë do t’i përdorin daitë e dashit të Muços. Ta shohim! Koha po ecën shpejt!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vetëm në dy javët e para të nëntorit, kryeministri i…