As në vitin e dytë të Covidit sporti s’u dorëzua
Sporti në të gjithë botën arriti që për të vitin e dytë radhazi t’i bëjë pallë pandemisë Covid-19 ani pse shpesh virusi nxori telashe nëpër klube duke bërë të pamundur që të gjithë lojtarët të janë të gatshëm për aktivizim.
Megjithatë, ngjarjet interesante përgjatë këtij viti nuk munguan si në rrafshin vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Përfaqësuesja e Kosovës e mbylli ciklin kualifikues për Botërorin “Katari 2022” në vendin e parafundit, duke e bërë një fushë mjaft zhgënjyese që i kushtoi me shkarkim edhe trajnerit Bernard Challandes. Ndërsa Hajrulla Çeku është emëruar ministër i Sportit, duke qenë mjaft aktiv për kohën që është në krye të këtij dikasteri.
Në basketboll, KB Ylli dominoi në Superligë duke fituar titull, por njëherësh e fitoi edhe Ligën Unikë që u organizua për herë të parë. Në hendboll Besa Famgas dominoi, kurse Prishtina iu rikthye titullit pas tetë vjetësh. Kupën dhe Superkupën e fitoi skuadra e Llapit, e cila fitoi të drejtën të dalë për herë të parë në garat ndërkombëtare. Në rrafshin ndërkombëtar, Italia e fitoi Kampionatin Evropian, ku në finale e mposhti Anglinë. Piloti Max Verstappen e ndali dominimin e Hamiltonit, duke qenë fitues i kampionatit të Formulës 1. Ndërsa skuadra e Chelseat e fitoi Ligën e Kampionëve, duke triumfuar në finale ndaj Manchester Cityt.
Hajrulla Çeku emërohet ministër i MKRS-së
22 mars – Në muajin mars Hajrulla Çeku ka pranuar detyrën e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Detyrën e ministrit Çekut ia dorëzoi zëvendësministri i i Kulturës, Engelbert Zefaj. Çeku është emëruar ministër i MKRS-së ditën e hënë kur qeveria në krye me Albin Kurtin është votuar nga 67 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Krasniqi zgjedhet president i ri i KOK-ut
26 mars – Ismet Krasniqi është zgjedhur president i ri i Komitetit Olimpik të Kosovës në Asamblenë e 8 Zgjedhore. Krasniqi ftoi me 53 vota kundrejt dy kundërkandidatëve të tij, Besim Hasanit, që mori 41 vota dhe Linda Shalës, 11 sosh. Nënpresident i parë u zgjodh Gazmend Maxhuni nga triatloni, i cili mori 58 vota, nënpresident i dytë Milaim Kelmendi nga skitaria me 49 vota, nënpresidente e tretë u zgjodh Mimoza Shkodra Bislimi nga volejbolli dhe i katërt, Eugen Saraqini nga hendbolli.
KB Ylli fiton titullin në Ligën Unike dhe Superligën e Kosovës
14 prill – KB Golden Eagle Ylli është shpallur kampion në edicionin e parë dhe historik të Ligës Unike. Skuadra suharekase ka mposhtur në finale Pejën në një ndeshje që kampioni u mësua vetëm në çastet e fundit të ndeshjes. Finalja e zhvilluar në palestrën “Dhimitraq Goga” në Durrës ka përfunduar me rezultatin 79-82. Erjon Kastrati ishte më meritori në këtë fitore të Yllit, duke shënuar 21 pikë. Ai u ndihmua edhe nga Mitchel Wilbekin që shtoi 18 pikë të tjera. Te Peja u dallua AJ Walton që shënoi 25 pikë. Skuadra e yllit e ka fituar edhe titullin e kampionit edhe në Superligën e Kosovës në basketboll. Në finale Ylli e mposhti skuadrën e Pejës me rezultat 70-67 në ndeshjen e tretë finale.
Kosova përfundon e treta në grupin kualifikues
3 maj – Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll e mbylli fazën e dytë kualifikuese për Evropianin 2022. “Dardanët” janë mposhtur nga nënkampionia e botës, Suedia, 39:16, në udhëtim. Hendbollistët e Kosovës përfunduan në pozitën e tretë. Edhe pse nuk u kualifikuan në Evropian, arritja e një fitore dhe një barazimi, të dyja ndaj ish-kampiones së botës, Rumanisë, vlerësohet sukses, duke ditur se para hedhjes së shortit llogaritej kombëtarja më e dobët.
Prishtina pas tetë vjetësh rikthen titullin. Llapi fiton Kupën dhe Superkupën
13 maj – FC Prishtina fiton matematikisht titullin kampion në Kosovë për herë të 11-të në histori. Skuadra “bardhekaltër” e siguroi titullin një javë para fundit falë fitores 1-2 në fushën e Gjilanit (shënuan në pjesën e parë Mici me penallti dhe Zyba, ndërsa golin e gjilanasve e realizoi në fraksionin e dytë Arbër Çyrbja). Kryeqytetasit rikthehen te titulli kampion pas plot tetë vjetësh. Skuadra e Llapit fiton për herë të parë në histori Kupën e Kosovës, pasi e mposhti Dukagjinin pas penalltive. Koha e rregullt përfundoi 0-0, ndërsa në vazhdime Merlaku shënoi për skuadrën nga Klina e, në anën tjetër, për llapjanët realizues ishte Prençi. Në penallti Llapi fitoi me rezultat 5-4. Llapi e fitoi edhe Superkupën.
Besa fiton titullin dhe Kupën te meshkujt. Vushtrria kampione, Istogu fitues i Kupës te femrat
15 maj – Besa Famgas ka vazhduar dominimin e plotë në Superligën e Kosovës në hendboll. Besa e fitoi titullin e kampiones për edicionin 2020/2021. Skuadra pejane i ka fituar të gjitha ndeshjet e këtij kampionati, duke përfshirë ato të “play off”-it. Në finale të “play off”-it Besa Famgas ishte më e mirë se Prishtina. Derisa ndeshja e parë, e luajtur të shtunën në Pejë, ishte me rivalitet, të mërkurën në kryeqytet pejanët kanë dominuar plotësisht. Në fund kanë fituar me rezultat të thellë 39:32. Për Besën është titulli i tetë rresht i kampiones. Prej pavarësimit të hendbollit të Kosovës, Besa ka fituar 17 tituj të kampionit. Klubi pejan dominimin e vazhdoi edhe në garën e Kupës, pasi në finale e mposhti Prishtinën me rezultatin 38:29. Te Besa lojtari më i mirë i ndeshjes u shpall spanjolli Victor Alonso. Ai ndeshjen e mbylli me 8 gola. 8 gola i shënoi edhe Egzon Gjuka, ndërsa kapiteni Nikolla Prce e mbylli ndeshjen me 7 gola. Te Prishtina lojtar i ndeshjes ishte portieri Armir Agushi. Lojtari më i mirë i Final 4 ishte Deniz Terziqi. Ai finalen e mbylli me 13 gola, ndërsa në Superligën e femrave Vushtrria e fitoi titullin e kampiones pasi e mposhti Istogun me rezultat 22:21 në ndeshjen e tretë të finales së “play off”-it. Golin e fitores e shënoi Donita Kasumi, ndërsa skuadra e Istogut është fitues i Kupës së Republikës së Kosovës në hendboll. Skuadra istogase në finale e mposhti Prishtinën me rezultat 31:23. Kapitenia Albina Rugova y shpall lojtarja më e mirë te Istogu. Te Prishtina më e mira u shpall Aida Stagova.
Nishevci, medalist i bronztë i Evropës
22 maj – Herolind Nishevci ka fituar për herë të parë medalje evropiane. Karateisti i Kosovës fitoi të bronztën në Kampionatin Evropian të Karatesë që u mbajt në Poreç të Kroacisë. Nishevci në luftën për medaljen e bronztë mundi Asiman Gurbanli të Azerbajxhanit, kategoria plus 84 kilogramë. Deri te medalja Herolindi erdhi pas katër fitoreve, dy të shënuara në repesazh. Medalja e bronztë është e dyta më e madhe pas të bronztës të fituar në Kampionatin Botëror të Linzit të Austrisë në vitin 2016.
Interi, City, Bayerni, Atletico dhe Lille, kampionë në ligat më të forta evropiane
23 maj – Skuadra e Interit e fitoi titullin e 19 në Itali. Interi shpallet kampion pas 34 ndeshjeve, ku ka arkëtuar 82 pikë, 13 sosh më shumë se vendi i dytë dhe i tretë, respektivisht Atalanta dhe Milani. Në Gjermani, Bayern Muncheni e vazhdon dominimin, duke konfirmuar edhe një herë se është i pakonkurrencë në këtë ligë. Në Angli, Manchester City e riktheu titullin, duke qenë skuadra më e mirë gjatë gjithë sezonit. Në Spanjë, Atletico Madridi e fitoi titullin duke fituar me përmbysje në ndeshjen e fundit kundër Valladolidit (1-2). Në Francë, Lille i ka dhënë fund dominimit të PSG-së, që kishte fituar tre titujt e fundit. Lille fitoi si mysafir në përballje me Angersin (1-2) dhe e siguroi titullin me 83 pikë, një më shumë se Paris Saint-Germaini.
Chelsea fiton Ligën e Kampionëve, Villarreali Ligën e Evropës
29 maj – Chelsea fitoi Ligën e Kampionëve për edicionin 2020/21, pasi në finale e mposhti skuadrën e Manchester Cityt me rezultat 1-0. Golin e vetëm e shënoi Havertz, i cili merr një top fantastik nga Mount, driblon portierin dhe më pas e dërgon topin në rrjetë. City u mundua të reagojë në fillimin e pjesës së dytë, por e kishte të vështirë krijimin e aksioneve të rrezikshme dhe ndeshja përfundoi me rezultat 1-0. Ky ishte trofeu i dytë në histori të Chelseat. Ndërsa fitues i Ligës së Evropës ishte Villarreali që e mposhti Manchester Unitedin në finale, pas ekzekutimit të penalltive (11-10). Koha e rregullt dhe vazhdimet janë mbyllur me rezultat 1-1. Golin e parë e shënoi Gerard Moreno, kurse në pjesën e dytë Edison Cavani e barazoi rezultatin në 1-1. De Gea e humbi penalltinë e 11 për Unitedin dhe Villarreali e fitoi trofeun.
Pesë medalje për garuesit e bodybuildingut dhe fitnesit në Ballkanikun e Rumanisë
13 qershor – Përfaqësuesja e Kosovës në bodybuilding dhe fitnes ka fituar pesë medalje, prej tyre tri të arta dhe të dy të argjendta në Kampionatin Ballkanik për Seniorë dhe U-20 në Severin të Rumanisë. Medaljet e arta për seniorë i fituan Kushtrim Bajraktaraj, në kategorinë bodybuilding -80 kg, Granit Kuleta -90 kg dhe Arton Koci në “Classic” -1.80 cm. Bajraktaraj fitoi edhe Kupën në kategorinë absolute, duke u shpallur garuesi më i mirë. Medalja e argjendtë në kategorinë “Physique” -175 cm shkoi për Pllumb Latifin. Në grupmoshën U-20, të argjendtën e fitoi Fatlind Kërqeli, kategoria “Physique”.
Gazetarët sportivë fituan turneun për Javën Olimpike
22 qershor – Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) organizoi turneun e futbollit të madh, aktivitet ky që u mbajt në kuadër të Javës Olimpike 2021. Pjesëmarrëse ishin ekipet e KOK-ut, Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, veteranët e futbollit, gazetarët sportivë dhe estrada. Turneun e fituan gazetarët sportivë të cilët në finale mundën Komitetin Olimpik të Kosovës me rezultat 5:0. Humbja e energjisë nga dy ndeshjet paraprake bëri që lojtarët e KOK-ut të mos tregojnë paraqitje të njëjtë si në takimet e tjera.
Italia, kampione e ‘Euro 2020’
11 korrik – Italia e ka fituar Kampionatin Evropian “Euro 2020”, pasi në finale e mposhti Anglinë pas ekzekutimit të penalltive. Koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan me rezultat 1-1 falë golave të Luke Shaw dhe Leonardo Bonucci. Në ekzekutimin e penalltive më të saktë u treguan “Azzurrët” (3-2).
Ramadani, kampion evrope U-20 në hedhjen e gjyles
16 korrik – Muhamet Ramadani është bërë kampion i Evropës U-20 në evropianin që u mbajt në Talin të Estonisë. Ai e fitoi medaljen e artë në hedhjen e gjyles 6 kilogramë. Rezultati më i mirë i tij në finale ishte 19.92 metra. Ai la kundërshtarët prapa për më shumë se gjysmë metri. Është kjo medalja e parë historike për atletikën e Kosovës në kampionate evropiane. Më herët Ramadani kishte fituar medaljen e artë në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj Baku 2019.
Pas 50 vjetësh, Milwaukee shpallet kampion në NBA
21 korrik – 50 vjet pritje për ta festuar titullin në NBA. Milwaukee Bucks siguron trofeun e dytë në histori dhe këtë e bën falë legjendës Giannis Antetokounmpo i cili shkëlqeu në finale përballë Phoenix Sunsit duke realizuar 50 pikë. Vetëm 5 basketbollistë të tjerë kanë pasur një perfomancë të tillë në një finale në historinë e NBA-s. Milwaukee Bucks triumfoi 4-2 në finale duke mbyllur përpara kohe sfidën e madhe me Sunsib. Në finalen e fundit, atë të gjashtën, Bucksi ishte dominues duke e mbyllur në fund me shifrat 105-98. Perioda e parë përfundoi 29-16 në favor të Bucksit, por miqtë rihapën sfidën duke bllokuar sulmin e vendasve që në periodën e dytë shënuan vetëm 13 pikë. Ishte greku Antetokoumpo që shpërtheu në të tretën duke realizuar 20 pikë personale duke mbajtur Milwauken në avantazh. Historia nuk ndryshoi as në periodën e katërt dhe të fundit, me Antetokoinmpo që ishte i papërmbajtshëm duke u shpallur në fund edhe lojtari më i mirë i finales.
Messi dhe Ramosi bashkohen në PSG, Ronaldo rikthehet në United
10 gusht – Atë që nuk e priste askush ndodhi në vitin 2021, kur Lionel Messi u largua nga Barcelona dhe iu bashkua Paris Saint-Germainit. Ylli argjentinas firmosi për dy vjet me skuadrën franceze, por me mundësi të vazhdimisht edhe për një vit tjetër. Nuk kishte pritur thuajse askush që 34-vjeçari të ndahej me Barcelonën, por rregullat e La Ligas dhe gjendja financiare e klubit ndau rrugët. Tani Messi është te Parisi dhe klubi francez do të fitojë miliona tifozë të tjerë nëpër botë. Kjo nuk ishte e tëra për faktin se PSG-ja e transferoi edhe kapitenin legjendar të Real Madridit, Sergio Ramos. Një transferim i madh ishte edhe ai i Cristiao Ronaldos, i cili e la Juventusin dhe u rikthye në klubin ku bëri emër, Manchester United.
Taekwondisti Jon Gashi fiton medaljen e artë në Kupën e 6-të Presidenciale të Evropës për të Rinj
21 shtator – Taekwondisti Jon Gashi ka fituar medaljen e artë në Kupën e 6 Presidenciale të Evropës për të Rinj, të mbajtur në Stamboll të Turqisë. Gashi fitoi katër luftëra në kategorinë e kadetëve +65 kilogramë. Paraqitje mbresëlënëse pati edhe Denis Bllaca, i cili fitoi tri luftëra për juniorë, kategoria -59 kg, për t’u ndalur në çerekfinale. Denisi fitoi kuotën për pjesëmarrje në Evropianin U21, kategoria Olimpike për të Rinj. Pjesëmarrës ishte edhe Elion Agushi, që u ndal në luftën e parë, grupmosha juniorë, kategoria -55 kg.
Usky mposhti Joshuan, shpallet kampion bote
26 shtator – Oleksandr Usyk ka shënuar një nga befasitë më të këndshme në boks, duke fituar titujt e unifikuar botërorë IBF, WBO dhe WBA, pasi mposhti me pikë pas 12 rundeve tashmë ish-kampionin Anthony Joshua në kategorinë e peshave të rënda. Boksieri ukrainas e nisi furishëm meçin dhe fitoi tri rundet e para, më pas Joshua u këndell dhe ishte më i mirë në raundin e katërt dhe të pestë. Por nga rundi i shtatë, Usyku dominoi në meç dhe fituesi në fund nuk ishte i diskutueshëm, pasi 34-vjeçari fitoi me shumicën e pikëve nga gjyqtarët. Për Joshuan, kjo është humbja e dytë në karrierë profesioniste, ndërkaq numëron edhe 24 fitore.
Krasniqit i rikthehet fitorja e vjedhur nga Boseli
10 tetor – Boksieri shqiptar Robin Krasniqi në muajin tetor është mposhtur nga boksieri Domenic Bosel, vendim i cili u dha nga juria pas 12 rundeve. Krasniqi u ankua dhe në muajin dhjetor, në praninë e pesë gjyqtarëve, është bërë rivlerësimi i ndeshjes dhe Robin Krasniqi është shpallur fitues.
Serbia nuk lejon boksierët e Kosovës të marrin pjesë në Kampionatin Botëror
1 nëntor – Delegacioni i Kosovës në boks tri herë radhazi nuk u lejua të hyjë në Serbi për të marrë pjesë në pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit. Komiteti Olimpik i Kosovës ka deponuar ankesën në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON/IOC) dhe është kërkuar nga shtëpia e Lëvizjes Olimpike në botë, t’i marrë të gjitha veprimet e duhura ndaj organizatorëve të botërorit të boksit dhe të gjithë aktorëve të përfshirë në moslejimin e hyrjes të ekipit të boksit të Kosovës në Serbi.
Kosova e mbyll cilin kualifikues në pozitën e pestë. Shkarkohet Challandes
16 nëntor – Kosova e ka mbyllur me barazim ciklin kualifikues për Botërorin “Katari 2022”. “Dardanët” në stadiumin olimpik “Spyros Louis” në Athinë kanë barazuar me Greqinë, 1-1. Grekët shënuan të parët në fund të pjesës së parë me anë të Giorgos Masouras. Rezultatin e barazoi Amir Rrahmani. “Dardanët” e mbyllën këtë cikël në pozitën e pestë në Grupin B, me 5 pikë, derisa Greqia në pozitën e tretë me 10 pikë. Ndërsa Bernard Challandesi është shkarkuar nga detyra e përzgjedhësit. Strategu zviceran u shkarkua për shkak të mospërmbushjes së objektivave. 70-vjeçari Challandes e drejtori Kosovën nga viti 2018.
Kosova zë vendin e shtatë në Kampionatin Botëror të Karatesë
19 nëntor – Përfaqësuesja e Kosovës në karate ka zënë vendin e shtatë në ekipore në Kampionatin Botëror të Karatesë në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe. Karateistët e Kosovës shënuan tri fitore. Në raundin e parë mundën Afrikën e Jugut, në të dytën Kilin, në të tetën e finales humbën nga Italia, e cila, falë kalimit në finale, i mundësoi Kosovës repesazhin. Në repesazh Kosova fitoi ndaj Brazilit, por më pas pësoi humbje nga Kazakistani, duke humbur mundësinë për të luftuar për medaljen e bronztë.
Bajoku shpallet boksieri më i mirë i turneut ‘Adem Jashari’
21 nëntor – Shpëtim Bajoku është shpallur boksieri më i mirë i turneut të 23-të tradicional ndërkombëtar “Adem Jashari” i cili është mbajtur në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Nga afër turneun e ndoqën presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, kryeministri Albin Kurti, ministri për Kulturë, Rini e Sport, Hajrullah Çeku, zëvendësministrja Daulina Osmani dhe drejtues të tjerë nga MKRS-ja, FBoxK-ja dhe doajenë të boksit. Boksieri më i mirë vendor u shpall Patriot Behrami.
Kosova shijon fitoren e parë në parakualifikimet për FIBA Eurobasket 2025
28 nëntor – Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll ka shënuar fitoren e parë në parakualifikimet për FIBA Eurobasket 2025. “Dardanët” mundën Danimarkën me rezultat 78:73 në takimin e luajtur në Prishtinë, e që përkoi me festën e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit. Fitorja erdhi pas humbjes nga Norvegjia tri ditë më parë. Para takimit, kapiteni legjendar Edmond Azemi zyrtarizoi pensionimin nga basketbolli aktiv.
Messi fiton ‘Topin e Artë’ për herë të shtatë
29 nëntor – Futbollisti argjentinas Lionel Messi është fitues i “Topit të Artë” për vitin 2021. Për Messin është çmimi i shtatë i lojtarit më të mirë në botë. Ky çmim ndahet nga “France Football”. Messi ka udhëhequr Argjentinën drejt triumfit në Copa America sivjet. Ishte ky suksesi më i madh i tij këtë vit, kurse konkurrentin më të madh për çmimin prestigjioz, Messi e kishte sulmuesin polak të Bayernit, Robert Lewandowski. Sulmuesi argjentinas e kishte fituar “Topin e Artë” për herë të parë në vitin 2009. E fitoi edhe në vitet 2010, 2011 e 2012. Më i miri në botë u shpall edhe në vitin 2015 e më pas në vitin 2019. Topi i Artë nuk ishte ndarë vjet për shkak të pandemisë.
Kosova pranohet në Federatën Evropiane të Ragbit
3 dhjetor – Federata e Ragbit e Kosovës është bërë anëtare me të drejta të plota në Federatën Evropiane të Rabgit. Lajmin e ka bërë me dije vetë Federata e Ragbit të Kosovës përmes një postimi në “Facebook”. “Ngjarje historike! Kosova pranohet si anëtare e Rugby Europe pas takimit të 103-të gjeneral të këtij institucioni. Në agjendën e këtij takimi, ndër pikat kryesore, ishte edhe votimi i anëtarëve të rinj të Rugby Europe ku Kosova bëhet anëtarja më e re e institucionit më të lartë të ragbit në Evropë”, thuhet në njoftim. Në procesin e anëtarësimit të FRK-së ndihmoi edhe Komiteti Olimpik i Kosovës.
Verstappeni fiton titullin në Formulën 1
12 dhjetor – Max Verstappen është fituesi i kampionatit të Formulës 1 për vitin 2021, duke u bërë kampioni i 34-t me radhë. Garuesi i Red Bullit la pas vetes Lewis Hamiltonin për ta fituar Abu Dhabi Grand Prix në xhiron e fundit të garës. Verstappeni bëhet garuesi i katërt me radhë më i ri që shpallet kampion i F1, në moshën 24-vjeçare. Para tij ishin Sebastian Vetteli, Lewis Hamiltoni dhe Fernando Alonso.
Rrahmani, futbollisti i vitit 2021; Krasniqi, futbollisti më i mirë i Superligës
22 dhjetor – Kapiteni i përfaqësueses së Kosovës në futboll dhe anëtari i klubit italian Napoli, Amir Rrahmani, është zgjedhur futbollisti më i mirë i vitit 2021 në manifestimin tradicional të FFK-së “Laureatët e Vitit”. Rrahmani ka treguar formë të jashtëzakonshme gjatë këtij viti si në paraqitjet me ekipin dardan, ashtu edhe me klubin e tij, duke e fituar me meritë çmimin “Fadil Vokrri”. Epiteti i futbollistit më të mirë të vitit në BKT Superligë me votat e gazetarëve sportivë i takoi Endrit Krasniqit, i cili dha kontribut të çmuar në rrugën drejt titullit të kampionit, derisa klubi i tij FC Prishtina u nderua me çmimin e klubit më të mirë. Derisa në 11-shën më të mirë të vitit u zgjodhën: Enea Koliqi (Gjilani), Leotrim Bekteshi (Prishtina), Ardian Limani (Drita), Ilir Blakqori (Drita), Armend Thaqi (Ballkani), Arbnor Ramadani (Llapi), Endrit Krasniqi (Prishtina), Valmir Veliu (Llapi), Ermal Krasniqi (Ballkani), Gerhard Progni (Gjilani), Kreshnik Uka (Drenica).
Përgatiti: Veton ZYMBERI