As zgjedhjet nuk e ndalin Thaçin që ta vazhdojë dialogun
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të vazhdojë ta përfaqësoj Kosovën në dialogun me Serbinë, pavarësisht paralajmërimeve se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, si pasojë e thyerjes të koalicionit qeverisës lidhur me vazhdimin apo heqjen e taksës së vënë ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.
Partnerët e koalicionit qeverisës, Ramush Haradinaj e Kadri Veseli, nuk po pajtohen rreth taksës, ku i pari ka vënë kusht që për heqjen e saj duhet që Serbia ta njoh Kosovën, derisa Veseli ka propozuar pezullimin për 120 ditë, deri të kryhet procesi i dialogut mes dy vendeve.
Ky konfrontim ka bërë që koalicioni qeverisës të ndodhet në dyshim të vazhdimit të punës së tij apo të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Njohës të proceseve politike dhe monitorues të dialogut Kosovë-Serbi, thonë se edhe nëse një skenar i tillë do të mund të ndodhte, presidenti Hashim Thaçi mund të dialogojë dhe të arrijë marrëveshje, ani pse vendi mund të jetë në proces zgjedhor.
Profesori universitar Mazllum Baraliu, pavarësisht se nuk beson fortë që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të arrihet deri në pranverën e vonë, thotë se, presidenti mund të zhvillojë bisedimet edhe nëse shkohet në proces zgjedhor në Kosovë.
“Po, sepse ai nuk shkon në zgjedhje edhe e ka mandatin, mund të vazhdojë. Ai edhe po e bën për arsye se e ka marr mandatin nga shumica parlamentare dhe ai mund ta vazhdojë. Ato shtetet janë të prira ta përkrahin, ShBA dhe BE, e ka mandatin, është grupi negociator, mund të ndodhë derisa e ka mandatin. Megjithëse, kur shpallen zgjedhjet të gjitha veprimet e çdo qeverie edhe trupave të saj duhet të jenë vetëm të natyrës teknike dhe emergjente, jo edhe vendimmarrëse, por këta e bëjnë, mund ta bëjnë”, ka thënë Baraliu për “FaktePlus”.
Mirëpo, në rast se presidenti do të arrinte marrëveshje derisa vendi është në zgjedhje, për Baraliun, është i mundshëm ratifikimi në Kuvend në qoftë se do të vije një koalicion qeverisës që vendos për interesa të brendshme dhe të jashtme të Kosovës.
“Varet, nëse fitojnë prapë koalicioni qeverisës edhe i bashkojnë forcat vendosin për interesa edhe të brendshme edhe të jashtëm, atëherë ka gjasa”, është shprehur ai.
Në anën tjetër, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për “FaktePlus”, se skenar të tillë janë të mundshëm. Por, ajo e sheh një skenar edhe me të rrezikshëm.
“Skenari që presidenti i vendit arrin një marrëveshje në emër të shtetit të Kosovës, pa dakordim të brendshëm politik, pa mbështetje të institucioneve, është një skenar i cili mund të dërgojë Kosovën në situatë të ngjashme me marrëveshjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, por në këtë rast do të ishte skenar edhe më i rëndë për shtetin e Kosovës pasi pasojat e mos realizimit të obligimeve ndërkombëtare do të përktheheshin në izolim të shtetit të Kosovës dhe në krizë institucionale dhe shoqërore. Qëllimi nuk duhet të jetë marrëveshja, por nëpërmjet marrëveshjes qëllimi duhet të jetë përmbyllja e çështjeve të hapura me Serbinë, konsolidimi i shtetit të Kosovës, njohja reciproke dhe hapja e perspektivës së qartë evropiane për Kosovën”, ka thënë Krasniqi.
Ajo ka shtuar se gjendja aktuale politike në vend reflekton edhe seriozitetin e procesit të dialogut dhe skenarët e ndryshëm për zgjidhjen eventuale për të cilat mungon konsensusi politik.
Krasniqi ka theksuar se si shtet është tejet e rëndësishme që në këtë proces të dialogut të shkohet me një qëndrim unik, të ketë bashkërendim institucional dhe mbi të gjitha që të mos ndërmerren veprime të cilat mund të vejnë në rrezik apo pikëpyetje integritetin tonë territorial, sovranitetin tonë shtetëror dhe funksionimin tonë kushtetues.
Megjithatë, Mazllum Baraliu, ka thënë se një marrëveshje mes dy vendeve është vështirë e arritshme, për shkak të polarizimit të skenës politike si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.
“Unë jam e bindur se me këtë konstalacion të forcave dhe me këtë polarizim të skenës politike dhe edhe qytetare, do të jetë vështirë që të bëhen dy të tretat për ta nënshkruar atë marrëveshje, prandaj do duhej pasur kujdes kushdo që shkon atje. Mendoj, po ashtu se as Serbia nuk e ka lehtë sepse as nga ana e Serbisë nuk do të pranohen shumë gjëra në këtë skelet marrëveshje të paralajmëruar dhe në një marrëveshje të ardhshme e cila pa marr parasysh çfarëdo që të jetë për Serbinë më e kapshme, më e pranueshme, për Serbinë mund të jetë se sa për ne. Edhe Serbia ka probleme dhe ka gjasa që të mos ketë marrëveshje fare. Serbia ka problemet e brendshme po ashtu, ka protesta, këtu ka greva masive, atje ka protesta masive me intensitet të shtuar. Me këto rrethana në dy shtetet mund të vjen pikëpyetje a do të bëhet një marrëveshje e tillë”, ka thënë Baraliu.
Vitin e kaluar presidenti Hashim Thaçi hodhi idenë e korrigjimit të kufijve, që sipas tij, do të thotë bashkëngjitje e Luginës së Preshevës me Kosovën. Këtë ide, e ka kundërshtuar ashpër kryeministri aktual Ramush Haradinaj, i cili tani po rrezikon prishjen e koalicionit qeverisës për shkak të mos heqjes së taksës për mallrat serbe dhe boshnjake.