Asambleja Komunale e Fëmijëve të Prizrenit vizitë në Prokurori
Prokurorinë Themelore në Prizren, e vizituan fëmijët nga Asambleja Komunale e Fëmijëve, e cila udhëhiqet nga OJQ “Nevo Koncepti” në Prizren.
Gjatë këtij takimi, zëvendëskryeprokurorja Arijana Shajkovci, ka njoftuar fëmijët për funksionimin dhe efikasitetin e Prokurorisë, e veçanërisht për funksionimin dhe organizimin e Departamenit për të Mitur.
Më tutje, Shajkovci prezantoi angazhimin e organit të Prokurorisë për trajtimin e veçantë që bëhet në rastet ku të përfshirë në vepra penale janë personat nën moshën 18 vjeç.
Pas prezantimit fillestar, vijoi diskutimi i hapur me fëmijët asambleistë.
Njëra nga pikat për të cilën u interesuan më shumë fëmijët ishte, informimi me procedurën e raportimit të rasteve në institucionet e ndjekjes, kur fëmijët janë të dëmtuar/përfshirë në rastet e veprave penale.
Çështje të tjera që u diskutuan ishin edhe, liritë dhe të drejtat e fëmijëve, kohëzgjatja e dënimit më burg për të mitur, martesat e hershme dhe bashkëjetesa nën moshën 16 vjeçare etj.
Prokuroria Themelore në Prizren, si institucion i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi ligjore dhe Kushtetuese mbetet e përkushtuar dhe e zotuar që vazhdimisht të punohet, që të promovohen dhe të mbrohen liritë dhe të drejtat e fëmijëve.
/Epoka e re/