Asamblisti i PSD-së dhe një person tjetër po mbahen në paraburgim në Serbi, kërkohet lirimi i i tyre
Partia Socialdemokrate (PSD) ka reaguar pas arrestimit të asamblistit të tyre në Komunën e Podujevës dhe të një personi tjetër.
PSD-ja ka theksuar se Blerim Maqastena dhe Berat Megjuani janë duke qëndruar në paraburgim në Serbi.
Partia që drejtohet nga Dardan Molliqaj, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të angazhohen maksimalisht që Blerimi dhe Berati të kthehen sa më parë në Kosovë, raporton “Epoka e re”.
“Me shqetësim morëm lajmin që dy qytetarë të Republikës së Kosovës, Blerim Maqastena (asambleist dhe aktivist i PSD-së në Podujevë) dhe Berat Megjuani janë arrestuar dhe paraburgosur në Serbi. Blerimi dhe Berati po mbahen tash e 2 ditë në paraburgim në Serbi. Kjo mbajtje e dy qytetarëve të Kosovës nga Serbia është absurde. Blerimi dhe Berati është dashur të lirohen menjëherë me një procedurë normale. Arroganca e autoriteteve të Serbisë është e papranueshme”.
“Sipas informatave që kemi, Blerimi dhe Berati për shkak të mjegullës së madhe kishin humbur rrugën duke ecur në zonën kufitare me Serbinë, dhe gabimisht janë futur në territorin e Serbisë. Ata kanë lajmëruar Policinë e Kosovës, të cilët janë vënë në kontakt me autoritetet serbe nga të cilat pastaj janë ndaluar. Kërkojmë nga institucionet e Kosovës që të angazhohen maksimalisht që Blerimi dhe Berati të kthehen sa më parë në Kosovë. Duke parë natyrën e rastit, vonesat në trajtimin dhe lirimin e tyre janë të panevojshme dhe të papranueshme”, është thënë në reagimin e PSD-së.