Asamblisti i VV-së tregon pse po e kundërshtojnë Planin zhvillimor në kryeqytet
Asamblisti i Partisë së Vetëvendosjes, Feim Osmani ka thënë se plani i zhvillimor i Komunës së Prishtinës përmban shkelje ligjore dhe të meta të tjera procedurale.
I ftuar në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Osmani tha se nuk është kundër votimit të Planit Zhvillimor, mirëpo siç tha ai nga procedura se si ka ardhur ky plan është kundër.
“Ne kemi konsideruar se plani si i tillë përmban shkelje ligjore dhe të metat e tjera procedurale të ndryshme, mirëpo parimisht duhet opinioni duhet t’a dijë që nuk jemi absolut kundër planit sepse është dokument shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Prishtinës. Mirëpo procedura se si ka ardhur tentimi se si po dëshiron të kalohet ky planë natyrisht që na bënë të jemi kundër tij. Dhe kemi përdorur fuqinë tonë të votës për ta kundërshtuar sot”, ka deklaruar Osmani.
Derisa, Osmani ka përmendur se janë 28 komente negative të cilat Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ia ka dërguar komunës.
Ndryshe, Osmani tha se kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama nuk është pro që të votohet ky plan.
“Në fakt janë 28 komente negative- vërejtje që ministria në fjalë i ka dërguar Komunës së Prishtinës, do duhej drejtoria në fjalë dhe kryetari Rama me kabinetin e tij të punonin dhe t`a ofronin me ato vërejtje që ia ka dhënë ministria. Ajo se çka mendoi unë është që dëshira e kryetarit Rama dhe asamblistëve të tij është që të mos votohet ky plan”, ka thënë Osmani.
Sipas tij, nëse Prishtina mbetet pa plan zhvillimor, dëmet do të jenë të mëdha në të gjitha drejtimet.
“Nëse Prishtina mbetet pa planë zhvillimor, dhe nëse nuk votohet në asnjë seancë, dëmet më të mëdha janë pothuajse në të gjitha drejtimet, si zhvillimet në projektet infrastrukturore mund të ngadalësohen edhe për pjesën rurale, aty ku tashmë plani i ri e prek këtë pjesë të qytetit, pothuajse në çdo drejtim Prishtinën e pengon mos qasja në dispozicion në planin e tillë, mirëpo të jemi të sigurt se Prishtina do të jetë edhe pa plan edhe nëse votohet sepse komentet e njëjta do t`i jap ministria”, ka shtuar Osmani.
Ndryshe, plani Zhvillimor Komunal i Prishtinës nuk është votuar.