Asamblistja Kryeziu, qeverisjes në Rahovec: Pse po nisni projekte kur s’ka fonde të mjaftueshme
Sot Kuvendi Komunal i Rahovecit ka mbajtur mbledhjen e radhës, në të cilën është zhvilluar debat mes pushtetit dhe opozitës në këtë komunë për projektet dhe shqetësimet e qytetarëve në këtë pikë dhe në pika të ndryshme.
Asamblistja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Rahovecit, Edona Kryeziu, në këtë seancë ka ngritur një shqetësim të banorëve të fshatit Xërxë, të cilët nuk janë të kënaqur me ecurinë e punimeve të ndërtimit të shkollës fillore.
“Në emër të banorëve të fshatit Xerxë – ndërtimi i shkollës fillore është objekt mëse i domosdoshëm, kur them i domosdoshëm nënkuptohet se nuk duhet lënë anash. Pra, duke parë buxhetin e ndarë për këtë projekt që është buxhet jo i vogël por mëse i vogël, dhe duke parë nga afër ritmin e ngadaltë të punimeve, sa nganjëherë duket se nuk po punohet fare, banorët e këtij fshati po frikësohen se ky projekt do të stërgjatët”, ka thënë Kryeziu gjatë seancës së Kuvendit Komunal.
Ajo ka theksuar se vonesa e këtij projekti po shkakton pengesa edhe në lëvizjen e nxënësve dhe në aktivitet e tyre sportive, pasi materiali i lënë aty, ka bllokuar hapësirat e shkollës.
“Pse po implementohet kaq ngadalë duke e ditur se janë duke pësuar fëmijët. Ne e dimë se arsyeja e vetëm është edhe buxheti, atëherë pse është e domosdoshme që të fillohet një projekt kur nuk ka fonde të mjaftueshëm, apo të fillohet me projekte dhe të mbesin në mëshirën e fatit nëse do të ketë apo jo donacione. Dhe në fund a ka monitorues të këtyre kontratave dhe nga kush duhet të presim përgjegjësi lidhur me vonesën për mospërfundimin e këtij projekti në kohën e paraparë”, i është drejtuar Kryeziu ekzekutivit të Rahovecit.