Asani: Po realizoj ëndrrën e çdo shqiptari të Maqedonisë
“Jam shumë i lumtur sepse jam nga Maqedonia dhe çdo shqiptar atje e pret ftesën sepse jemi shqiptar dhe duhet të japim më shumë se 200% nga vetja. Është ëndërr e secilit prej nesh, e prita me shumë gëzim dhe dëshirë ftesën. Do jap maksimumin tim të arrijmë një rezultat të mirë”.
Për Jasir Asanin 2023-i është një vit për tu mbajtur mend pasi më në fund ka bindur komisarin teknik të Shqipërisë.
Kur i kujtojnë se ftesa i erdhi vetëm pas transferimit në Korenë e Jugut, ish-sulmuesi i Partizanit dhe Kisvarda-s tha: “Pak ditë më parë shënova tre gola dhe jam i lumtur, por ftesën e kam pritur gjithmonë. Kemi qenë shumë të lumtur bashkë me familjen. Ne do të shkojmë për fitore. Do futemi në lojë për të marrë maksimumin”.
Mes të tjerash 27-vjeçari nga Shkupi u pyet për të treguar një opinion rreth trajnerit të ri.
“Kam biseduar dje dhe është një trajner që kam pasur shokë që e kanë pasur më parë. Më kanë folur mirë për të. Besoj se do të shkojmë mirë me të”, u shpreh sulmuesi.
Si debutues në grumbullimin kuq e zi, ai tregon ndjesitë e para: “Disa i njoh prej kohësh, më kanë pritur shumë mirë. Emocion shumë i madh që vij për herë të parë këtu. Jam i lumtur. Veteranët më kanë pritur shumë mirë, sonte në darkë do këndoj”.