Asetet e sistemit financiar kanë shënuar rritje vjetore prej 6.9 për qind
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka takuar përfaqësuesit e Bankës Botërore, të cilët po qëndrojnë në vizitë në Kosovë.
Guvernatori Mehmeti ka informuar zyrtarët e këtij institucioni për gjendjen në sistemin financiar dhe ka falënderuar përfaqësuesit e BB-së për përkrahjen e vazhdueshme, që kanë dhënë dhe po japin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, guvernatori Mehmeti ka deklaruar se sistemi financiar në Republikën e Kosovës ka pasur zhvillime pozitive, ku asetet e sistemit financiar kanë shënuar rritje vjetore prej 6.9 për qind, ndërsa kreditimi bankar ka shënuar rritje vjetore prej rreth 11 për qind, normat e interesit në kredi kanë zbritur në 6.3 për qind, ndërsa norma e kredive joperformuese ka shënuar rënie në 2.7 për qind.
Guvernatori Mehmeti i njoftoi përfaqësuesit e BB-së lidhur me zhvillimet pozitive në sektorët tjerë, si sektori i sigurimeve, pensioneve dhe ai i institucioneve mikrofinanciare dhe financiare jobankare.
Gjithashtu, guvernatori Mehmeti i njoftoi përfaqësuesit e Bankës Botërore lidhur projektin në proces që ka të bëjë me Kornizën Operacionale për Menaxhimin e Krizave dhe shprehu gatishmërinë e BQK-së për bashkëpunim me ekipin e Bankës Botërore për të finalizuar me sukses këtë projekt.
Përfaqësuesit e BB-së të kryesuar nga Miquel Dijkman, Kordinator i Zyrës Regjinale të Bankës Botërore – FINSAC në Vjenë, falënderuan guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmeti për bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe diskutuan për mënyrat e rritjes së mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet BB-së dhe BQK-së.
/Epoka e re/