Asfaltohen disa rrugica që lidhen me rrugën kryesore ‘Naim Beka’ në Ferizaj
Komuna e Ferizajt ka bërë me dije se janë asfaltuar rrugët “Hasan Çerkini”, “Ibrahim Lutfiu” dhe disa rrugica që lidhen me rrugën kryesore “Naim Beka”.
Zhvillimin e këtyre punimeve e ka ndjekur nga afër edhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili është shprehur i kënaqur që dita-ditës nevojat e banorëve të të kësaj ane po zgjidhen.
Ndërsa drejtori i Infrastrukturës, Arbër Bytyqi, ka thënë se këto asfaltime janë bërë në vazhdën projekteve të cilat po realizohen në dobi të banorëve të kësaj pjese.
“Në kuadër të rregullimit të infrastrukturës në zonën urbane të qytetit sot ndodhemi në rrugën ‘Hasan Çerkini’ dhe ‘Ibrahim Lutfiu’, rrugë këto shumë të rëndësishme për banorët. Rregullimi i këtyre rrugëve ka qenë prioritet i qeverisjes që nga marrja e mandatit, për shkak se janë shumë afër qytetit, ndërsa sot po bëjmë edhe asfaltimin e tyre. Qytetarët e këtyre rrugicave do të kenë një infrastrukturë më të mirë dhe një mundësi më të mirë të jetës. Përveç këtyre rrugëve pritet të bëhet edhe asfaltimi i rrugës ‘Gjergj Fishta’, por ajo çka e bën më të rëndësishëm përfundimin e infrastrukturës në këtë zonë, është se kemi zgjedhur një problem afatgjatë që ka të bëjë me kanalizimin në rrugën ‘Luboteni’ dhe në rrugën ‘Mulla Idriz Gjilani’, problem që ka qenë për vite të tëra në këto rrugë”, ka thënë Bytyqi.
Vlera e projektit të realizuar është rreth 100 mijë euro, ndërsa gjatësia e saj sillet mbi 1 kilometër.
/Epoka e re/