Asfaltohen rrugët e Manastircit të Ferizajt
Punimet infrastrukturore në Komunën e Ferizajt janë duke vazhduar me ritëm të lartë. Së fundmi është asfaltuar rruga “Shefqet Ramusholli” me gjatësi prej 895 metrash dhe rruga “Kodra e Bletëve” me gjatësi prej 260 metrash që në total kap një gjatësi mbi 1 kilometër.
Këto rrugë janë asfaltuar në kuadër të projektit për asfaltimin e 14 rrugëve në fshatin Manastirc të kësaj komune. Për t’i parë punimet që po zhvillohen në këtë pjesë të Ferizajt, ka dalë kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Infrastrukturës, Arbër Bytyqi.
Drejtori Bytyqi ka thënë se ky projekt zgjidh sfidat shumëvjeçare të banorëve të kësaj zone e cila ka hasur në mirëkuptimin e qeverisjes lokale për t’i dhënë zgjidhje.
“Jemi sot në fshatin Manastirc në kuadër të projektit të asfaltimit të rrugicave të këtij fshati. Bëhet fjalë për një projekt të asfaltimit të 14 rrugicave. Dihet se si projekt e kemi filluar gjatë vitit të kaluar ku kemi asfaltuar dy rrugica, ndërsa sot po vazhdojmë me dy rrugica të tjera dhe gjatë kësaj jave po synojmë ta përmbyllim në tërësi projektin e asfaltimit të rrugicave të fshatit Manastirc. Bëhet fjalë për një projekt rreth 220 mijë euro, kurse gjatësia e rrugicave është 5 kilometra”, ka thënë Bytyqi.
/Epoka e re/