Asfaltohet edhe një rrugë në Gurishtë të Malishevës
Në kuadër të rregullimit të infrastrukturës rrugore në komunën e Malishevës, të hënën në fshatin Gurishtë ka filluar asfaltimi i një rruge rreth 500 metra të gjatë, e cila lidhë një lagje me rrugët kryesore të fshatit.
Fillimin e asfaltimit të rrugës, e ka parë nga afër edhe nënkryetari i komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili është takuar edhe me banorët e kësaj pjese të fshatit dhe me kryetarin e fshatit, Afrim Mazreku.
“E gëzofshi rrugën e re, rrugë e cila për juve banorë të kësaj lagje ka rëndësi të madhe, pasi për shkak të thyerjes së terrenit, deri më tani e keni pasur problem qarkullimin për të shkuar me vetura në lagjen. Ky nuk është projekti i vetëm, pasi në vazhdimësi dhe në të gjitha fshatrat do të vazhdojmë me investime konkrete, për përmirësuar mirëqenien dhe jetesën e të gjitha banorëve të Komunës së Malishevës”, ka thënë nënkryetari i komunës së Malishevës, Hajdin Berisha gjatë vizitës në Gurishtë.
Nga ana tjetër, kryetari i fshatit Gurishtë, Afrim Mazreku, në emër të banorëve të kësaj lagje dhe të tërë fshatit, e ka falënderuar komunën për realizimin e këtij projekti, me shumë rëndësi për të gjithë banorët që jetojnë në këtë pjesë të fshatit, e të cilët deri më tani e kanë pasur problem qarkullimin me automjete dhe në shumë raste, i kanë lënë automjetet shumë larg shtëpive, për shkak të terrenit të thyer në këtë pjesë.
/Epoka e re/