Asfaltohet rruga “Filip Shiroka” në Ferizaj
Të hënën ka filluar të bëhet asfaltimi i rrugës “Filip Shiroka”, në kuadër të asfaltimit të rrugicave të qytetit të Ferizajt.
Nga afër punimet në këtë asfaltim i ka përcjellë edhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, së bashku me drejtorin e Infrastrukturës, Arbër Bytyqi, por edhe bashkëpunëtore të tjerë.
Me këtë rast drejtori i infrastrukturës, Arbër Bytyqi, këtë projekt e ka cilësuar si të një rëndësie tejet të madhe me vet faktin që po investohet në rrugët e qytetit të Ferizajt. “Jemi në zonën urbane të Ferizajt, jemi në muajin nëntor, por kushtet e mira atmosferike na kanë mundësuar vazhdimin edhe asfaltimin e shumë projekteve që janë të Komunës sonë. Sot po bëjmë fazën e fundit të asfaltimit të kësaj rrugë e cila ka një gjatësi prej mbi 1 kilometër, ndërsa ka një kosto prej 50 mijë euro”, është shprehur Bytyqi.
Ndërsa banorët e rrugës “Filip Shiroka”, kanë falënderuar kryetarin Aliun dhe Komunën e Ferizajt për rregullimin dhe asfaltimin e rrugës së tyre.
Është bërë me dije edhe ditëve në vazhdim do të ketë asfaltim të rrugëve të ndryshme të cilat janë të gatshme për t’u asfaltuar.
/Epoka e re/