Asfaltohet rruga me katër korsi Gjilan-Livoç
Komuna e Gjilanit është duke punuar në realizimin e kontratave që kapin vlerën e miliona eurove në asfaltimin e rrugëve dhe projekteve të shumta në investimet kapitale.
Kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, ka thënë se punimet që janë duke u bërë në përmbylljen e projektit të zgjerimit të rrugës Gjilan – Ferizaj, i cili të krijojë lehtësira të mëdha në qarkullimin e automjeteve.
“Ashtu siç kemi paralajmëruar dhe në bazë të planit dinamik, sot është asfaltuar rruga me katër korsi Gjilan – Ferizaj. Pas asfaltimit do të aktivizohet edhe ndriçimi publik, që kjo rrugë për një kohë shumë të gjatë nuk e kishte. Krahas kësaj rrugë është duke u punuar në mënyrë permanente edhe në rrugën e Kumanovës e cila është në afërsi të saj rruge dhe kyçjet që janë të kontraktuara me rrethrrotullim në këtë aks rrugor, pranë hyrjes së Spitalit Regjional. Kjo trase e rrugës në formatin katër korsi do të vazhdoj deri te furra ‘Çoçaj’ dhe kështu do të përmbyllet ky segment i veçantë, për të vazhduar me hyrje daljen në drejtim të Prishtinës”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai ka falënderuar banorët në këtë rrugë dhe komunitetin e biznesit që nuk kanë penguar në asnjë moment gjatë realizimit të punimeve në këtë projekt.
/Epoka e re/