Asfaltohet rruga në fshatin Nekoc pasi komuna obligoi kompaninë për riparimin e dëmeve
Fundvitin e kaluar, ishte asfaltuar rruga me gjatësi prej 600 metrave në fshatin Nekoc të Drenasit, por për shkak të cilësisë së dobët të punimeve ishte dëmtuar asfalti dhe menjëherë pas marrjes së informacioneve nga banorët e fshatit, kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci në konsultim me ekspertët e Drejtorisë së Infrastrukturës, kanë marrë të gjitha masat për sanimin e këtij dëmi.
“Kompania ishte urdhëruar t’i merr përsipër të gjitha dëmet, të sanojë në afatin sa me të shkurtër dhe sot kompania ka bërë sanimin e dëmeve dhe ka bërë asfaltimin e ri të kësaj rruge”, ka njoftuar komuna e Drenasit.
Sipas këtij njoftimi, kryetari Lladrovci ka falënderuar banorët e fshatit Nekoc për bashkëpunimin dhe u ka kërkuar falje për vonesat e realizimit të këtij projekti, që janë krijuar si pasojë e papërgjegjësisë të kompanisë së kontraktuar.
“Lladrovci i bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomik që kanë nënshkruar kontrata me komunën, që t’i përmbahen kontratave të nënshkruara, ndryshe nuk do të ketë asnjë kompromis për asnjë punë që nuk kryhet në përputhje me kontratën. Komuna e Drenasit zotohet se do të vazhdojë me punë meritore për qytetarët dhe duke u respektuar sipas kontratave të nënshkruara”, ka njoftuar komuna e Drenasit.