Asgjë e re në faqen e KQZ-së, përditësimi i fundit dy ditë më parë

14 shkurt 2025 | 08:07

Kanë kaluar pesë ditë që nga dita e zgjedhjeve në Kosovë. Pasi përfundoi ky proces, u mendua se për pak kohë merr fund gjithçka. Që nga ajo ditë e deri më sot në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk u përmbyll procesi dhe publikimi i rezultateve finale nga numërimi i votave nëpër komunat e Kosovës.

Hera e fundit kur u rifreskuan të dhënat në këtë faqe ishte data 12 shkurt, dy ditë përpara.

Asgjë më nuk ka lëvizur, derisa përqindja e numërimit të votave mbetet e njëjtë. 99.72 për qind.

Rënia e serverit dhe e ueb-faqes zyrtare të KQZ-së në ditën e zgjedhjeve, vonesat në numërimin e votave për kandidatët për deputetë, telashet me blerjen e kamerave dhe mostrajnimi i duhur i stafit, janë vetëm disa prej problemeve që kanë dalë gjatë rrugës, të cilat, siç thonë disa, ia kanë zbehur besueshmërinë gjithë procesit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ka kërkuar nga KQZ-ja marrjen e informatave të nevojshme për të vërtetuar nëse ka elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale.

Vetë KQZ-ja ka thënë më 12 shkurt se i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera të sigurisë për ta sqaruar situatën dhe për të ofruar mbështetje teknike, teksa ka siguruar se, pavarësisht gjithë kësaj situate, integriteti i votës nuk është cenuar dhe se rezultatet do të jenë të sakta.

Edhe ish-zyrtarë të KQZ-së kanë thënë se njëmend është vështirë të manipulohet me vota, por e keqja e gjithë kësaj është humbja e besimit të qytetarëve në procesin zgjedhor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njohësi i politikës, Agon Maliqi, në "Rubikon" të Klan Kosova,…